Rrëfimi i Ksenofon Krisafit se si sensibilizoi bashkësinë ndërkombëtare për masakrën në Reçak

- Bota Sot

Rrëfimi i Ksenofon Krisafit se si sensibilizoi bashkësinë ndërkombëtare për masakrën në Reçak

Njëzet e shtatë vjet pas masakrës në Reçak, ish-ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ksenofon Krisafi rrëfen se si kishte sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për agresionin e Serbisë mbi popullatën e pafajshme shqiptare, raporton KosovaPress.

Ksenofon Krisafi ka qenë ambasador i Shqipërisë në OKB, në periudhën 1998-2002.

Në një intervistë për KosovaPress, ai tregon se në atë kohë ndodhej në Gjenevë, dhe dy ditë pas kishte telefonuar disa prej drejtuesve të organizatave ndërkombëtare. Në takimet që kishte pasur me ta, Krisafi thotë se kishte vërejtur se e kishin marrë me të lehtë gjenocidin në Reçak.

“Unë u ndodha tamam-tamam në kohën e masakrës në Gjenevë. Ishte janari i vitit 1999. Më 15 janar ndodhi masakra, dy ditë më vonë, ishte ditë e hënë, e mbaj mend shumë mirë, në zyrën e ambasadorit të Shqipërisë, tek unë, trokiti dera dhe u fut vrullshëm një djalë i ri, një djalë i Kosovës, të cilin unë kisha pak ditë që e kisha njohur, ishte pikërisht Tahir Shabani, një aktivist i shquar i atyre kohëve, i cili ishte i zbehur në fytyrë, gati pa frymë, i tronditur, i tmerruar, erdhi pranë meje dhe lëshoi mbi tavolinën time një tufë fotografish saqë u mbush gjithë sipërfaqja e tavolinës dhe e CD-së. Dhe përmes lotëve, gati i ngashëryer, filloi të tregonte, ‘shiko se çfarë ka ndodhur’. I thashë Tahir, unë i di këto sepse i kam ndjekur lajmet, i kam parë, por sidoqoftë ato çka solli ai ishin jashtëzakonisht shumë prekëse. Dhe në prani të të Tahirit, unë njoftova menjëherë qeverinë time, sepse kështu është rregulli, për të marrë autorizimin e saj. I rashë telefonave të disa prej drejtuesve të organizatave ndërkombëtare me selinë në Gjenevë. Mary Robinson ishte kryetarja e Komisionit të të Drejtave të Njeriut. Sadako Ogata ishte drejtuesja e organizatës për refugjatët, Brunson McKinley ishte për migracionin, e të tjera dhe ju kërkova takime”, rrëfen ai.

Thotë se kishte insistuar që të takohej me të gjithë këta drejtues të organizatave ndërkombëtare, por ishte e çuditshme se si të njëjtit nuk ishin shqetësuar sa Krisafi për gjenocidin në fshatin Reçak.

“Unë takimet që pata me to, transmetova shqetësimin për atë çka kishte ndodhur dhe kërkova me insistim që ato të tregoheshin pakës më të vendosur, për arsye se pata përshtypjen që e kishin marrë pak lehtë. Mendonin që këto janë gjëra që ndodhin, janë gjëra që nuk duhen amplifikuar e të tjera e të tjera. I thashë, nuk është çështje e amplifikimit, është çështje e ekzistencës së një populli të tërë. Dhe nuk vonoi, opinioni u sensibilizua, bashkësia ndërkombëtare vendosi atë që vendosi, domethënë, thirrjen e Rambujesë dhe pastaj bombardimin e Jugosllavisë si përgjegjëse për këto që ndodhën, po ndodhnin këtu në në Kosovë”, tregon ai për KosovaPress.

Serbët kanë qenë gjithmonë agresori

Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ksenofon Krisafi sot mori pjesë në tryezën shkencore të organizuar nga Forumi i Intelektualëve me temën "Mohimet serbe të krimeve dhe gjenocidit, destabilizim për ballkanin".

Ai theksoi se serbët gjithmonë kanë qenë agresioni, por kanë luajtur rolin e viktimës.

“Ajo që ka ndodhur midis shqiptarëve dhe serbëve është gati unikale. Serbët kanë qenë gjithmonë agresori dhe kanë marrë rolin e viktimës. Kanë arritur që me mjeshtërinë e tyre dhe me djallëzinë të sensibilizojnë opinionin në favorin e tyre dhe tia transferojnë, tia delegojnë gjithë përgjegjësinë e konflikteve - shqiptarëve, njerëzve të pafajshëm. Është një gjë që nuk duhet të ndodhë, është një gjë që na obligon ne shqiptarëve që përveç përplasjeve normale, politike, për sa i përket qarkullimit në pushtet të opozitave, të mazhorancës e të tjera e të tjera, ne duhet të bëjmë kujdes se ka një gjë shumë më të madhe që është çështja kombëtare dhe për çështjen kombëtare ne duhet të bëhemi një”, shprehet ai mes tjerash.

Fshati Reçak i komunës së Shtimes, i cili gjendet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, rreth tre dekada më parë, bëri kthesë të madhe në historinë të Kosovës.

Më 15 janar të vitit 1999 forcat serbe vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes. I pari që i tha botës se aty u krye krim kundër njerëzimit, ishte shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker. Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve ku NATO vendosi të sulmoi caqet ushtarake policore serbe.



Read it all at Bota Sot