Pak ditë pas dy barazimeve 1-1 kundër Genoas fillimisht dhe Fiorentinës më pas, Max Allegri doli në konferencë për shtyp për të prezantuar sfidën ndaj Comos dhe për të bërë një bilanc të situatës.
Pa pasur ende kohë të lihet pas faza e parë e kampionatit, rikthehet menjëherë futbolli në fushë.
Në mesjavë luhen ndeshjet e prapambetura të javës së 16-të të Serie A, të shtyra për shkak të angazhimit në Superkupën e zhvilluar në Arabinë Saudite.
Napoli dhe Interi përballen respektivisht me Parmën dhe Leccen të mërkurën, më 14 janar, ndërsa detyrë më e vështirë e pret Milanin, që luan në udhëtim në “Sinigaglia” kundër Comos.
“Para së gjithash duhet të rikthehemi të jemi pak më të pamëshirshëm gjatë ndeshjes.
Ka momente kur jemi disi të brishtë. Duhet të jemi më të saktë teknikisht; lojtarët kanë cilësi shumë të mira, por duhet të punojmë. Lojtarët që do të mungojnë? Fullkrug është jashtë, do ta shohim për të dielën. Së bashku me të edhe Pavloviq, i cili ka 9 qepje në kokë.
Për të dy do të shohim për ndeshjen me Romën.”
“Unë kundër Fabregas? Jo, është Como kundër Milanit. Ata kanë lojtarë të mirë, janë një skuadër e guximshme që ushtron presion dhe luan shumë mirë.
Cesc po bën një punë të shkëlqyer, mund t’i bëjmë vetëm komplimente. Sa për ne, duhet të shkojmë atje për të marrë pikë, kaq e thjeshtë.”
Përgjigjja që do t’u pëlqejë më pak tifozëve të Milanit është ajo për merkaton:
“Jam shumë i kënaqur me lojtarët që kam në dispozicion, është një grup i mirë, me këta do të shkojmë deri në fund”, tha Allegri.