Shkëndija e Tetovës tashmë disa ditë ka përcaktuar orarin e ndeshjeve kontrolluese në prag të stinorit pranveror.
Të besuarit e trajnerit Jeton Beqiri ndeshjen e parë dhe të vetme në vendin tonë do ta zhvillojnë nesër (15 janar) kundër AP Brera në Shkup, derisa katër ndeshje të tjera kanë përcaktuar për në Antalia të Turqisë, aty ku edhe do të zhvillojnë fazën kryesore të përgatitjeve.
Ndeshja kundër AP Brera do të zhvillohet në një nga terrenet e kompleksit sportiv të FFM-së në Shkup me fillim në ora 13:00.
Ndërkohë vetëm dy ditë më vonë, me datë 17 janar, ekspedita “kuqezi” do të udhëtojë drejt Antalias në Turqi, aty ku do të qëndrojë deri më datë 1 shkurt.
Gjatë qëndrimit në Turqi, Shkëndija do të përballet me kundërshtarë ndërkombëtarë në katër teste kontrolluese, edhe atë me 20 janar përballë FC Oleksandrya (Ukrainë), me 24 janar kundër Podbrezova (Sllovaki), me datë 28 janar kundër Sarajevës (Bosnje dhe Hercegovinë), ndërsa në ditën e fundit të qëndrimit të tyre në Turqi, me datë 1 shkurt, “kuqezinjtë” do të zhvillojnë edhe ndeshjen e fundit kundër FC Ordabasy nga Kazakistani.