Ekstradohen dy kosovarë për vepra të kryera në Çeki e Gjermani

- Gazeta e Prizrenit

Ekstradohen dy kosovarë për vepra të kryera në Çeki e Gjermani

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet tjera relevante të Policisë dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar transferimin dhe ekstradimin e dy shtetasve kosovarë nga Çekia dhe Gjermania.

Më 13 janar 2026, është transferuar shtetasi i Kosovës i dënuar në Çeki për veprën penale “vrasje në tentativë”. Pas transferimit, ai iu dorëzua Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, pasi një pjesë të tij e kishte kryer tashmë në Çeki.

Ndërsa më 14 janar 2026, është ekstraduar nga Gjermania një shtetas i Kosovës, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar për veprat penale: mbajtje dhe kontroll të armës, lëndim trupor dhe kanosje. Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve të Kosovës dhe Gjermanisë. I dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse policore për vijimin e procedurave ligjore.


Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor thekson se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të veprimtarive kriminale, si dhe gjurmimin dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.



Read it all at Gazeta e Prizrenit