Real Madrid u turpëruar në Kupën e Mbretit ku skuadra e kategorisë së dytë, Albasete i eliminoi në fazën 1/8. Debutim më të keq për Alvaro Arbeloa nuk mund të kishte si trajner në stolin e “Los Blancos”.
Por si reagoi shtypi spanjoll ndaj këtij dështimi të madrilenëve?
Marca botoi një titull në një faqe të tërë, duke e quajtur atë një “shkatërrim total”.
Gazeta madrilene shtoi: “Debutimi i Arbeloas përfundon me një pengesë serioze. Real Madrid humbet dy tituj në tre ditë.” Dhe përsëri:
“Një Albasete heroike kualifikohet për çerekfinalet në kurriz të rrënimit të Los Blancos.”
Siç ishte titulluar: “Jeta vazhdon si zakonisht… ose më keq.” Dhe drejtoi gishtin nga trajneri i ri i cili: “Paguan për rotacionin e tij ekstrem me një eliminim katastrofik kundër një Albasete plot me rezerva.”
Po qeshin në Katalonjë, ku Mundo Deportivo shkroi me titull: “A la calle” (Në Rrugë) duke shtuar: “Debutimi i Arbeloas pas zëvendësimit të Çabi Alonsos nuk ka sjellë asnjë përfitim dhe Barça vazhdon të ndikojë në rënien e Realit”.
Gazeta Sport është më e ashpër, duke e quajtur këtë dështim: “Qesharake. Frikësuese.”