Raphinha ishte një nga protagonistët absolutë të finales së Superkupës së Spanjës, ku Barcelona mposhti Real Madridin me rezultatin 3–2 dhe ngriti trofeun.
Sulmuesi brazilian realizoi dy gola vendimtarë, duke udhëhequr katalanasit drejt një fitoreje të madhe, por ndikimi i tij nuk u ndje vetëm në fushë.
Sipas raportimeve të ‘El Mundo Deportivo’-s, roli i Raphinha-s ishte vendimtar edhe para fillimit të ndeshjes.
Në dhomat e zhveshjes, braziliani mbajti një fjalim shumë emocional dhe motivues, i cili ndezi shpirtin luftarak të Barcelonës.
Ai e trajtoi ‘El Clásicon’ si një luftë të vërtetë dhe u kërkoi shokëve të skuadrës të hakmerreshin për humbjen e mëparshme në ‘Santiago Bernabéu’, si dhe për mungesën e respektit që, sipas tij, ekipi kishte përjetuar.
Në fjalimin e tij, Raphinha përmendi edhe zhurmën e krijuar rreth deklaratës së famshme të Lamine Yamal,
“Madridi vjedh dhe ankohet”, duke e përdorur këtë si shtysë shtesë për të bashkuar ekipin dhe për ta kthyer presionin në motivim.
Mesazhi i tij ishte i qartë: Barcelona duhej të përgjigjej në fushë, me lojë, karakter dhe gola.
Ky episod është një tjetër dëshmi e lidershipit të Raphinha-s dhe e peshës që ai ka në dhomat e zhveshjes.
Nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick, Barcelona po ndërton jo vetëm një ekip teknikisht cilësor, por edhe një grup me mentalitet të fortë fitues.
Fjalimi i brazilianit dhe performanca e tij në finale tregojnë se ai nuk është vetëm një lojtar vendimtar në fushë, por edhe një lider i padiskutueshëm jashtë saj.