Rosenior konfirmon mungesat dhe rikthimet e mundshme

- Bota Sot

Rosenior konfirmon mungesat dhe rikthimet e mundshme

Chelsea po përballet me një situatë të vështirë jashtë fushës, pasi trajneri Liam Rosenior ka konfirmuar se një virus ka prekur disa lojtarë dhe anëtarë të stafit në qendrën stërvitore të klubit në Cobham.

“Blutë” u mposhtën nga Arsenali në mesjavë në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Carabao Cup, ndërsa Rosenior zbuloi se klubi po punon për të “përmbajtur një virus”, duke detyruar disa lojtarë dhe trajnerë të qëndrojnë larg qendrës stërvitore.

Liam Delap dhe Jamie Gittens janë dy nga futbollistët që janë prekur dhe kanë mbetur në shtëpi, duke munguar në seancat stërvitore.

“Delap është ende në shtëpi duke u rikuperuar, po ashtu edhe Jamie Gittens,” deklaroi Rosenior.

“Mjekët e klubit po përpiqen ta përmbajnë virusin, pasi edhe disa nga stafi janë prekur. Kemi zhvilluar një takim sot ku u kërkua nga të gjithë që të respektojnë masat bazike të higjienës.”

Megjithatë, ka lajme pozitive për Chelsean përpara përballjes së fundjavës ndaj Brentfordit. Cole Palmer dhe Reece James, të cilët munguan ndaj Arsenalit, janë rikthyer në stërvitje dhe pritet të jenë në dispozicion.

“Të dy janë duke u stërvitur sot. Shpresojmë të jenë pjesë e skuadrës të shtunën,” shtoi Rosenior.

Ndërkohë, Romeo Lavia po bën përparim në rikuperimin e tij, edhe pse ende nuk është bashkuar me grupin.

“Romeo është në fushë, por jo me grupin. Është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe duam të punojmë me të për një kohë afatgjate.

Nuk duam ta nxitojmë rikthimin e tij, sepse kur të kthehet, duam të jetë përfundimisht gati. Nuk ka afat kohor.”

Trajneri i Chelseat foli edhe për situatën e portës, pas gabimeve të fundit të Robert Sanchez kundër Arsenalit, duke theksuar se askush nuk ka vend të garantuar në formacion.

“Çdo trajner ka idetë e veta. Po kërkoj gjëra të reja nga Rob dhe nga e gjithë skuadra. Ai ka pasur një sezon shumë të mirë. Edhe Filip tregoi potencial kundër Charltonit. Nuk kam numra një dhe dy – çdo lojtar duhet ta fitojë vendin e tij.”

Chelsea do të përpiqet të reagojë në kampionat, teksa situata shëndetësore në skuadër mbetet nën vëzhgim të vazhdueshëm..



Read it all at Bota Sot