Një 18-vjeçar italian me origjinë egjiptiane, i cili u godit me thikë nga shoku i tij i klasës në La Spezia ka ndërruar jetë pas një sherri që ata patën për një vajzë.
I riu u transportua në gjendje kritike në Spitalin Sant’Andrea, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale tepër delikate, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të rënda.
Sulmi ndodhi gjatë pushimit mes orëve të mësimit, në sy të disa nxënësve. Viktima u godit disa herë me thikë dhe pësoi plagë të rënda në gjoks duke i prekur edhe arteriet.
Sipas raportimeve, operacioni kirurgjikal zgjati më shumë se tre orë, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, i riu pësoi disa herë arrest kardiak dhe pastaj ndërroi jetë.
Policia arrestoi autorin e dyshuar, një 19-vjeçar, i cili tashmë do të përballet me akuzën e vrasjes, ndërsa dyshohet se sherri lidhej me një vajzë.
Hetuesit po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Thika e përdorur në sulm është gjetur dhe autoritetet kanë marrë dëshmi nga nxënës dhe mësues të shkollës. Sipas hetimeve paraprake, sulmi mund të ketë qenë kulmi i një konflikti që kishte vazhduar prej disa ditësh mes dy të rinjve, ndoshta për shkak të një vajze.
Debati i fundit thuhet se nisi në tualetet e shkollës, ndërsa sulmi fatal ndodhi në klasë, ku viktima kishte kërkuar të fshihej nga agresori.