Skënderbeu është gati

- Bota Sot

Skënderbeu është gati

Skënderbeu po bëhet gati të nisë pjesën e dytë të sezonit, pikërisht aty ku mbylli edhe 17 javët e para, me një dominim të qartë në kampionat, pavarësisht ndonjë luhatjeje të vogël gjatë muajit dhjetor.Korçarët kanë grumbulluar 40 pikë në fazën e parë, duke u konfirmuar si skuadra më konstante e kampionatit: 13 fitore në 17 javë, sulmi i dytë më i mirë dhe mbrojtja më solide.

Ashtu si të gjitha ekipet, edhe bardhekuqtë janë përfshirë në procesin e lëvizjeve në merkato, megjithatë te Skënderbeu nuk ka vend për revolucion.

Objektivi është i qartë, vetëm përforcime të studiuara apo dublime rolesh, për të ruajtur ekuilibrin dhe vazhdimësinë e grupit.

Edhe pse po vepron pa shumë bujë, klubi korçar po shqyrton me kujdes lëvizjet e mundshme.

Pas dy afrimeve të konfirmuara, ku i fundit është Antonio Delaj, i huazuar nga Elbasani, në seancat stërvitore të ditëve të fundit është shfaqur edhe një futbollist tjetër, i cili është zbuluar vetëm si figurë në postimet e klubit në rrjetet sociale dhe gjatë stërvitjeve.

Bëhet fjalë për një lojtar nga Norvegjia, por stafi teknik ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse ai do të bëhet pjesë e ekipit.

Për këtë arsye, klubi nuk ka bërë publik as emrin e futbollistit. Ai pritet të vijojë përgatitjet edhe në disa seanca të tjera, përpara se të jepet verdikti final mbi afrimin e tij.Ndërkohë, Skënderbeu e nis pjesën e dytë të sezonit në shtëpi, në një përballje që përfaqëson ekstremet e renditjes.

Sot, në orën 16:00, në stadiumin e Korçës luhet sfida Skënderbeu–Luftëtari.

Të besuarit e trajnerit Ernest Gjoka synojnë trepikëshin e radhës në rrugën drejt rikthimit në Superiore, ndërsa gjirokastritët vijnë në Korçë për të kërkuar pikë jetike në luftën për mbijetesë.



Read it all at Bota Sot