Bisedime për kontratën e re të portierit francez

- Bota Sot

Bisedime për kontratën e re të portierit francez

E ardhmja e Mike Maignan te Milani po hyn në një fazë vendimtare. Jonathan Kebe, agjenti i portierit francez, ndodhet në Milano për të zhvilluar takime me drejtuesit e klubit kuqezi, me fokus kryesor rinovimin e kontratës së një prej shtyllave të skuadrës.

Maignan është konsideruar prej kohësh si një element kyç i projektit sportiv të Milanit dhe klubi dëshiron ta blindojë atë për vitet e ardhshme.

Aktualisht, kontrata e portierit francez skadon në vitin 2026, por synimi i drejtuesve është arritja e një marrëveshjeje të re që do ta zgjasë bashkëpunimin dhe do ta përmirësojë ndjeshëm aspektin financiar të akordit.

Takimi me agjentin shihet si një hap konkret drejt afrimit të palëve. Milani dëshiron të shmangë çdo situatë pasigurie në të ardhmen, ndërsa Maignan ka shprehur në disa raste lidhjen e fortë me ambientin kuqezi dhe dëshirën për të vazhduar aventurën në San Siro.

Bisedimet pritet të përqendrohen te kohëzgjatja e kontratës së re dhe paga e portierit, e cila do të reflektojë rolin e tij si një nga më të mirët në Evropë në pozicionin e vet. Ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare, por klima mes palëve konsiderohet pozitive.

Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të kuptuar nëse Milani dhe Maignan do të arrijnë marrëveshjen e shumëpritur, që do t’i jepte stabilitet një prej roleve më të rëndësishme të skuadrës.



Read it all at Bota Sot