Federata e Futbollit e Kosovës ka caktuar datën dhe vendin për zhvillimin e Superkupës së Kosovës në futboll, ku do të ballafaqohen Drita dhe Prishtina.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Mardan Palace” më 25 janar, me fillim nga ora 12:30 sipas kohës sonë lokale.
Sikurse që është bërë traditë vitet e fundit, ndeshja finale do të zhvillohet në Antalia të Turqisë, atje ku skuadrat në fjalë po e zhvillojnë fazën përgatitore për edicionin pranveror.
Skuadra kampione në fuqi, Drita, dhe ajo fituese e Kupës së shtetit, Prishtina, do ta synojnë trofeun e parë në vitin 2026.
Në dy përballjet e kampionatit të sivjetmë, skuadra nga Gjilani ka shënuar një fitore 2:0 ndaj asaj nga kryeqendra, krahas edhe një barazimi 2:2. Ballkani është skuadra që e mban aktualisht këtë trofe, pasi në edicionin e kaluar e kishte fituar titullin dhe kupën, duke i takuar automatikisht edhe Superkupa e Kosovës.
Ndryshe, Prishtina për herë të fundit Superkupën e ka fituar në vitin 2024, derisa Drita në vitin 2021.