Juventusi dëmtohet nga mungesa e efikasitetit

- Bota Sot

Juventusi dëmtohet nga mungesa e efikasitetit

Ideja e çmendur për të luftuar për titullin zgjati shumë pak për Juventusin.

Në një mbrëmje me erë dhe lagështi në Kaljarí, bardhezinjtë u detyruan ta fshijnë këtë ambicie pas një ndeshjeje që e kontrolluan për rreth një orë, por që e humbën për shkak të një momenti të vetëm shpërqendrimi. Ishin disa sekonda fatale: goditja e dënimit e Gaetano-s dhe devijimi i saktë i Mazzitelli-t, që mposhti Perin dhe vendosi fatin e takimit.

Ky episod i vetëm i kushtoi shtrenjtë Juventusit, duke i dhënë fund një serie pozitive prej shtatë ndeshjesh radhazi pa humbje dhe duke e lënë ekipin dhjetë pikë larg Interit kryesues.

Pavarësisht dominimit territorial dhe kontrollit të vazhdueshëm të lojës, rezultati final nxori në pah kufijtë aktualë të skuadrës.

Trajneri provoi çdo zgjidhje për të ndryshuar rrjedhën e sfidës. Në një moment, Juventusi u rreshtua me një skemë tejet sulmuese 4-2-4, me Zhegrova, Openda, David dhe Yildiz në vijën e parë, ndërsa më pas u hodh në fushë edhe Chico Konçeição.

Megjithatë, asnjë nga këto lëvizje nuk solli përmbysjen e pritur. Problemi kryesor mbeten metrat e fundit, aty ku skuadra e ka të vështirë të konkretizojë.

Shifrat flasin qartë: në pjesën e parë, Juventusi kishte 74 për qind të posedimit të topit, por krijoi vetëm një rast real, me goditjen e Miretti-t të devijuar nga mbrojtja dhe të ndalur nga Caprile.

Një kontrast i fortë me ndeshjet e mëparshme, ku ekipi kishte shënuar 20 gola në 11 takimet e para të kësaj faze.

Duhet vlerësuar organizimi mbrojtës i Kaljarít, por është e qartë se Juventusi ka kufij strukturorë.

Mungesa e një sulmuesi klasik, që të zhbllokojë ndeshje të tilla, po ndihet gjithnjë e më shumë dhe zgjidhja duket e lidhur me një ndërhyrje të guximshme në merkato.



Read it all at Bota Sot