Një person është arrestuar në Rahovec, pasi gjatë një pike kontrolli policor është zbuluar se ai kishte me vete një armë zjarri, të cilën e mbante në çantë.
Sipas informatave që ka siguruar Gazeta Sinjali, mbrëmë, rreth orës 19:00, policia në Gjakovë ka pranuar informacion se në fshatin Bernjak, gjatë pikës së kontrollit, është ndaluar një automjet dhe gjatë verifikimit është hasur një person që posedonte një çantë.
Sinjali merr vesh se bëhet fjalë për U. M, rreth 55 vjeçar.
Burimet bëjnë të ditur se i dyshuari, i pyetur nga zyrtarët policorë nëse kishte ndonjë send të paligjshëm, ka pohuar se posedonte një armë me vete.
Arma është sekuestruar menjëherë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë njoftuar patrullat e Stacionit Policor në Rahovec, të cilat e kanë shoqëruar të dyshuarin në stacion për intervistim dhe procedura të mëtejme.
Në konsultim me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.