Legjendat e futbollit të Kosovës, Fadil Muriqi dhe Sahit Kelmendi, lanë gjurmë të pashlyeshme në vitet ’80 si pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës.
Pas largimit të kapitenit Fadil Vokrri në verën e vitit 1986 drejt Partizanit të Beogradit, Muriqi dhe Kelmendi mbajtën shiritin e kapitenit dhe u shndërruan në shtylla të skuadrës.
Së fundmi, emrat e tyre janë rikthyer në vëmendje për shkak të një debati në rrjetet sociale serbe, në faqen “Istorija ex yu fudbala”, ku u publikua një fotografi me mbishkrimin: “Sahit Kelmendi dhe Fadil Muriqi, futbollistë të gjeneratës së artë të Prishtinës”.
Në komente u përfshi edhe Vlladimir Jugoviq, i cili i vlerësoi të dy si mesfushorë fenomenalë dhe figura kyçe të lojës së Prishtinës, duke e quajtur Fadil Muriqin “Maradona popullor i Kosovës”.
Debati mori kthesë polemike kur Branisllav Vukiçeviq bëri një pyetje provokuese lidhur me një lëndim të vitit 1984 në ndeshjen Prishtina – Sarajeva.
Vlladimir Jugoviq, sipas asaj që është regjistruar në rrjetin social, vjen nga Pale e Bosnje dhe Hercegovinës, i cili ka komentuar:
“Dy mesfushorë fenomenal të Prishtinës, lojtarë tejet të rëndësishëm mbi të cilët është themeluar loja e skuadrës.
Sahit Kelmendi kujtohet si driblues e tejet i rrezikshëm në një hapësirë të vogël dhe në situata një kundër një.
Ai dallohej nga kthjelltësia e tij e veçantë dhe aftësia për të thyer mbrojtjet e kundërshtarit me cilësi individuale.
Fadil Muriqi, futbollist i madh, mesfushor frontal, Maradona popullor i Kosovës, ishte njëra ndër shtyllat kryesore të lojës së Prishtinës.
Ai dinte të merrte topin, të jepte një goditje të saktë ose të përfundonte aksionin me një pasim të shkëlqyer e përfundimtar. Një futbollist i jashtëzakonshëm kontributi i të cilit në lojë ishte i madh.
Pas Prishtinës, Fadil Muriqi luajti për Rijekën për një kohë.
Deri në fund të viteve të tetëdhjeta në Prishtinë luajti edhe vëllai i tij Xhevdet Muriqi, një mbrojtës i dalluar”.
Branisllav Vukiçeviq shkruan me cinizëm dhe me pyetje provokuese ndaj Jugoviqit:
“Kush ia theu këmbën Boban Bozhoviqit në pranverën e vitit 1984 në ndeshjen Prishtina - Sarajeva?
A ishte Muriqi?”.
Vlladimir Jugoviq ia kthen: “Po, Fadil Muriqi në fillim të ndeshjes në Prishtinë.
Nga ai lëndim, futbollisti i Sarajevës Boban Bozhoviq nuk është kthyer kurrë në rrugën e duhur!”.
Vukiçeviq i kundërpërgjigjet: “Keni një kujtesë të shkëlqyeshme, mbaj mend që ishte ndërhyrje brutale, Blazh Slihskoviq u bë publikisht i neveritur”.
Nadan Filipoviq shkruan: “E, Shala e Vokrri?”.