Përveç Struga Trim Lum, gjatë ditës së djeshme drejt Turqisë ka udhëtuar edhe Shkëndija e Tetovës.
Skuadra “kuqezi” e udhëhequr nga Jeton Beqiri në Antalya do të qëndrojë deri më 1 shkurt, për të zhvilluar fazën kryesore të përgatitjeve dimërore, në prag të vazhdimit të sezonit garues.
Gjatë qëndrimit në Turqi, ekipi do të përqendrohet maksimalisht në përgatitjen për sfidat që e presin në kampionat, Kupën e Maqedonisë së Veriut, si dhe për pjesëmarrjen historike për herë të parë në ndeshjet e “play-off” të Ligës së Konferencës, ku Shkëndija do të përballet me skuadrën turke Samsunspor.
“Përveç seancave të rregullta stërvitore, fokusi kryesor do të jetë në ngritjen e nivelit të përgatitjes fizike përmes ngarkesave të planifikuara, ndërsa paralelisht do të punohet edhe në ndërtimin e lojës, aspektin tekniko-taktik dhe koordinimin e skuadrës, nën drejtimin e stafit teknik.” – njoftojnë nga KF Shkëndija,
Në kuadër të kësaj faze përgatitore, kuqezinjtë do të zhvillojnë gjithsej katër ndeshje kontrolluese në tokën turke.
Ndeshjen e parë do ta zhvillojnë me datë 20 janar ndaj FC Oleksandrya nga Ukraina, më 24 janar do të përballen me FK Podbrezova nga Sllovakia, më 28 janar me FK Sarajevo nga Bosnje dhe Hercegovina, ndërsa ndeshjen e fundit kontrolluese do ta zhvillojnë më 1 shkurt ndaj FC Ordabasy nga Kazakistani.