Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, theksoi përmes një postimi qëndrimin e unifikuar të Bashkimit Evropian përballë tensioneve të fundit që lidhen me Groenlandën, pas konsultimeve me shtetet anëtare.
Siç bëri të ditur ai, këto kontakte konfirmuan angazhimin e përbashkët të BE-së ndaj parimeve themelore, përfshirë respektimin e së drejtës ndërkombëtare, integritetit territorial dhe sovranitetit kombëtar, si dhe solidaritetin dhe mbështetjen për Danimarkën dhe Groenlandën.
Ai shtoi se ekziston një kuptim i përbashkët për interesin transatlantik në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Arktik, me rol kyç të NATO-s.
Costa nënvizoi gjithashtu se shtetet anëtare ndajnë vlerësimin se vendosja e tarifave do të dëmtonte rëndë marrëdhëniet transatlantike dhe do të binte në kundërshtim me marrëveshjen ekzistuese tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.
Në të njëjtin kontekst, ai theksoi se BE-ja është e gatshme të mbrohet ndaj çdo forme presioni apo shtrëngimi, duke ruajtur njëkohësisht vullnetin për dialog konstruktiv me Uashingtonin për të gjitha çështjet me interes të përbashkët.
Në dritën e zhvillimeve të fundit dhe me synimin për forcimin e koordinimit të qëndrimeve evropiane, presidenti i Këshillit Evropian njoftoi se do të thërrasë një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Evropian në ditët në vijim.
Reagimi i plotë:
Konsultimet e mia me shtetet anëtare mbi tensionet e fundit mbi Groenlandën rikonfirmojnë angazhimin tonë të fortë për sa vijon:
▪️Unitet mbi parimet e së drejtës ndërkombëtare, integritetit territorial dhe sovranitetit kombëtar;
▪️Unitet në mbështetje dhe solidaritet me Danimarkën dhe Groenlandën;
▪️Njohje e interesit të përbashkët transatlantik për paqen dhe sigurinë në Arktik, veçanërisht duke punuar përmes NATO-s;
▪️ Vlerësim i përbashkët se tarifat do të dëmtonin marrëdhëniet transatlantike dhe janë të papajtueshme me marrëveshjen tregtare BE-SHBA;
▪️Gatishmëri për t’u mbrojtur kundër çdo forme shtrëngimi;
▪️Gatishmëri për të vazhduar angazhimin konstruktiv me SHBA-në për të gjitha çështjet me interes të përbashkët. Duke pasur parasysh rëndësinë e zhvillimeve të fundit dhe me qëllim koordinimin e mëtejshëm, kam vendosur të thërras një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit Evropian në ditët në vijim.