Senegali është kampioni i ri i Kupës së Kombeve të Afrikës, pas një finaleje dramatike dhe tejet emocionuese ndaj Marokut.
Kombëtarja senegaleze triumfoi me rezultat 1:0 pas 120 minutave lojë, duke kurorëzuar një rrugëtim të madh drejt trofeut.
Finalja ishte drithëruese deri në sekondat e fundit. Maroku pati rastin më të artë për të vendosur fatin e ndeshjes në minutën e 90+24, por Brahim Diaz dështoi nga pika e bardhë e penalltisë, duke humbur mundësinë e një triumfi historik.
Pas barazimit në kohën e rregullt, ndeshja shkoi në vazhdime dy herë nga 15 minuta. Aty, heroi i Senegalit u bë Pape Gueye, i cili realizoi golin vendimtar në minutën e 94-të, duke ndezur festën e madhe të senegalezëve.
Senegali shpërtheu në gëzim, ndërsa Maroku mbeti në lot, duke lëshuar një rast të artë për trofeun kontinental.
Finalja u zhvillua në Rabat, përpara më shumë se 60 mijë shikuesve, të cilët krijuan një atmosferë spektakolare.