Ilir Daja u shpreh i shqetësuar, pas humbjes 0 me 2 që Dinamo pësoi nga Vllaznia në stadiumin “Air Albania”. Trajneri i dinamovitëve e kishte me kontingjentin që Dinamo gëzon aktualisht.
“Nuk dua të justifikohem, por që të mungojnë 5-6 lojtarë të formacionit për më pak se 10 ditë. Duke futur dëmtimin e Maliqit, transfertën e Karambës, Aliji që nuk është rikuperuar akoma. Po të shikoni në pankinë kishim vetëm Ismailin mbrojtës. Të gjithë ishin sulmues, nuk kishim mesfushorë. U bë gabim dorëzimi i topit, ishte njëfarë presioni i Vllaznisë, por kishte hapësira. Nuk u gjendën mbrojtësit e krahut, në pak aksione që numërohen me gishtat e njërës dorë. Alternimi i mesfushës me Gudiabin dhe Qardakun. Në pjesën e parë e humbëm topin dhe shumë energji. Ishte moment jo i joni, në ndeshje direkte me një kundërshtar direkt si Vllaznia.
Ishte pikërisht ky defekti i pjesës së parë ku ne u morëm, Qardaku dhe Vila hapeshin në linjat anësore ku ne kishim dy sulmues anësorë, Nanin dhe Bregun që merrnin gjerësinë. Vila dhe Qardaku duhet të plotësonin zonat e numrave 8 ose gjysmë hapësirat. Vllaznia luante me 3 stoper, prandaj them gjysmë hapësirat. Kjo ishte problematika jonë. Dhe kur topi shkonte te Dejvi ose Nani, që merrnin gjerësinë, përveç që nuk kishim lojtarë që mund të bënim kombinacion që të krijonim superioritet, sepse Vllaznia mbrohej me pesë, me Jagon dhe Kastratin, nuk kishim lojtarë për të ndryshuar krahun e lojës. Ky ishte problemi më i madh. Prandaj dhe në pjesën e parë dorëzonim topin shpejt, shpërndarja e lojtarëve në fushë nuk ishte ajo e duhura.
Kur drejton një ekip si Dinamo, objektivat janë maksimale. Me gjithë mend që Meksi dhe Loran kanë bërë goxha mirë në edicionin e kaluar, por performanca e Maliqit dhe Nezirit kanë qenë në një nivel akoma dhe më të lartë. Kur në çdo ndeshje hyn për të mbajtur objektivat maksimale, pra 3 pikëshin për të qenë te pjesa e sipërme e klasifikimit, pak mundësi ke që të bësh rotacione. Maliqi dhe Neziri kanë pasur një formë goxha të mirë. Lojtarët i marrin vetë minutat e lojës. Në momentin që diferenca e vogël, ndoshta dhe rotacioni do ishte më i shpeshtë. Kur kanë performuar mirë, edhe minutazhi i tyre ka qenë i limituar pavarësisht se kanë bërë mirë një kampionat më parë. Në këtë kampionat kemi rikuperuar goxha me prezencën e Maliqit dhe Nezirit. Aktivizimi i pakët i tyre, ka qenë edhe performanca e këtyre të dyve që përmenda unë. Për këtë nuk mund të bënim rotacione në gjysmën e parë të kampionatit”, u shpreh fillimisht trajneri Daja për “RTSH”.
Mungesat si në fillim, a shqetësoheni që mund të përsëritet e njëjta histori? Në fakt shqetësohem më shumë. Në atë periudhë kemi pasur në pankinë nga të tre repartet. Sot të them të drejtën, ishin 6 sulmues, një mbrojtës krahu Ismaili, dhe një tjetër mbrojtës nga ekipi U-19. Problemi i shpërndarjes në reparte nuk na ka ndodhur asnjëherë. Ky problem që më shqetëson më shumë se një ndeshje se në fund, kur luan me një rivale direkt si Vllaznia. Ajo që më shqetëson është boshatisja, sidomos në disa pozicione. Nuk kishim dublim në pozicione natyrale. Nuk besoj që kthehet njeri në ndeshjen e radhës sepse edhe Neziri dhe Qefalija duan të paktën mbi 10 ditë terapi dhe stërvitje individiuale, për t’u bashkuar me grupin. Aliji bashkë me Beqjan e kanë më të vonshme. Duhet të gjejmë një mënyrë tjetër të luajturi. Sot na doli dhe Lorani i dëmtuar, me ndërrim të detyruar.
Kryqëzim gishtash? Ose duhet të gjejmë strategji, ose mënyrë tjetër të luajturi. Më shumë strategji.
Akademia? Para epokës së presidentit Bardhi, akademia ka qenë inekzistente pothuajse. Ato lojtarë që kemi tek U-19 ose B, disa lojtarë janë me probleme të letrave të edukimit sportiv. Duhet të zerojnë këto problematika. Për momentin kemi pak mundësi, por që nuk e shmangim asnjëherë, që mund të afrohen në këtë situatë emergjente që jemi.