Arratisja më 1946-n dhe refuzimi i nënshtetësisë italiane, jeta në mërgim e gjeneralit Prenk Pervizi! Si e ndihmoi Zogun më 1939

- Bota Sot

Arratisja më 1946-n dhe refuzimi i nënshtetësisë italiane, jeta në mërgim e gjeneralit Prenk Pervizi! Si e ndihmoi Zogun më 1939

Fisi i vjetër i Pervizit të Skurajve në Kurbini ka një histori të thellë. Me besim katolik dhe traditë të fortë luftarake, rrënjët e tij shtrihen që në kohën e qëndresës heroike kundër pushtuesit turk, gjatë periudhës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Përkrahja e palëkundur ndaj udhëheqësit shqiptar bëri që fisi të persekutohej nga pushtuesit, duke detyruar disa familje të shpërndaheshin përtej detit, në Venedik apo Pulje të Italisë. Vite më vonë, fisi rifitoi fuqinë dhe u bashkua me lëvizjen e Rilindjes Kombëtare. Gjin Pjetër Mark Pervizi u dallua si udhëheqës në luftën antiosmane të Kurbinit dhe Krujës, duke mbajtur qëndresë të armatosur deri në shpalljen e Pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, ai ngriti Flamurin Kombëtar në Milot me rreth 300 luftëtarë, pranë nipit të tij 15- vjeçar, Prenk Perviz, që do të bëhej pasardhësi i denjë i fisit. Prenk Pervizi lindi më 4 maj 1897, kreu shkollën e mesme në Shkodër më 1914 dhe Akademinë Ushtarake në Vjenë më 1918 dhe hyri në shërbim të Ushtrisë shqiptare si komandant operacionesh për dëbimin e serbëve dhe qetësimin e vendit nga bandat grabitëse dhe rebelizmi politik. Dallohet në të gjitha detyrat e ngarkuara.

Përkrahu Zogun, me të cilin kishte lidhë miqësi qysh në Vjenë dhe i qëndroi pranë që nga fillimi deri në fund të Mbretërisë, duke ia zgjidhur të gjithë situatat kritike që rrezikonin atë vetë dhe shtetin e ri shqiptar. Më 1929- 1934, vijoi e kreu Shkollën e Luftës në Torino, shkolla më e lartë ushtarake, e u gradua kolonel. U ngarkua me misione përfaqësimi ndërkombëtar në Luftën e Abisinisë (1935-1936) e në Manovra ushtarake në Itali e gjetkë. Me ngjarjet e 7 prillit 1939, kur sulmoi Italia fashiste, i pa njoftuar nga askush veç nga radiot e huaja, vendosi të organizojë luftën popullore. Por i doli detyrë të mbrojë e të përcjellë mbretin në Greqi, e me urdhër të të cilit u rikthye në Shqipëri. Në kohën e pushtimit qëndroi në dispozicion.

Kur Ushtria shqiptare u përfshi në luftën italo-greke, mori qëndrim dhe urdhëroi braktisjen e frontit nga Ushtria shqiptare, veprim prej të cilit italianët pësuan një disfatë të madhe dhe më pas, nga frika e incidenteve të tjera më të rrezikshme, e hoqën Ushtrinë shqiptare nga fronti, kurse Prenk Pervizin e izoluan në Pukë. U gradua gjeneral me qëllim të zbutjes së acarimit për shkak të frontit grek, gradim formal pa rol komandues. Aprovoi vendimet e Mbledhjes së Mukjes. Më 8 shtator 1943, kur kapitulloi Italia, mori dorëzimin e komandës italiane nga gjenerali Dalmazzo dhe më shtator 1943, u emërua ministër i Mbrojtjes me gradën Gjeneral Divizioni. Nuk e njohu Lëvizjen e ashtuquajtur Nacional-Çlirimtare, duke e ditur se udhëhiqej nga komunistë të lidhur me politikën jugosllave e ruse. U përpoq të organizojë ushtrinë kombëtare shqiptare, por gjeti kundërshtim nga gjermanët. Iu kushtua përforcimit të frontit të luftës antiserbe në Kosovë, ku shkoi vetë disa herë, për organizim, me qëllim që mbarimi i luftës ta gjente Kosovën të bashkuar me Shqipërinë.

Me kundërvënien e Prenk Pervizit ndaj gjermanëve, këta nuk mundën të krijonin trupa SS në Shqipëri, por nuk lejuan që të krijohej Ushtria efektive shqiptare nën komandën e gjeneral Prenk Pervizit. Kundërshtar i vendosur i komunizmit, qëndroi dy vjet në mal, me shpresën të organizonte një qëndresë të armatosur, në bashkëpunim me nipin e tij Mark Gjomarkun, e me të arratisurit e tjerë. Kështu, në shtator 1946, u arratis në Greqi, me një aksion të guximshëm personal që mori përmasa legjendare, për strategjinë dhe guximin që u krye. Kaloi në Itali ku i propozuan t’ia njohin gradat dhe t’i japin detyra të larta në Ushtri, me kusht që të merrte nënshtetësinë italiane, gjë që ai nuk e pranoi. U largua për në Belgjikë ku u bashkua me miqtë e tij të vjetër, Muharrem Bajraktarin e të tjerë patriotë.

U sëmur befasisht dhe vdiq më 6 shtator 1977. Gjithë mërgata shqiptare e Belgjikës dhe Francës e përcollën duke e nderuar dhe e varrosën në parcelën e heronjve. Jeta e tij shpreh dramën dhe tragjizmin e një jete që iu kushtua krejtësisht çështjes kombëtare, nga fillimi deri në fund. Për këtë përkushtim ndaj çështjes kombëtare, regjimi komunist dënoi dhe persekutoi përjetësisht familjen dhe të gjithë rrethin e tij familjar, fisnor e miqësor. Mosrikthimi i pronave dhe mosnjohja e shkatërrimeve që shkaktoi qeveria komuniste, mosshpërblimi i viteve të dënimeve të familjarëve që e kaluan gjithë jetën në kushte skëterre, ky ishte shpërblimi ndaj një figure madhore të historisë së Shqipërisë dhe përfaqësues i një familjeje të madhe, të përmendur e të nderuar. Të gjitha familjet e tjera të mëdha që kishin dhënë kontributin e tyre gjatë shekujve në mbrojtjen e atdheut dhe në fitoren e Pavarësisë pësuan të njëjtin fat nga diktatura sllavo-komuniste, që sundoi në Shqipëri një gjysmëshekulli sa për 500 vjet të pushtimit turk, por edhe më e egër e antikombëtare.

LEKË PERVIZI

Piktor, përkthyes, publicist, botues, i biri i gjeneral Prenk Pervizit. Lindi më 26 qershor të vitit 1929, në fshatin Skuraj të Kurbinit. Shkollën fillore dhe një të mesme trevjeçare i kreu në Institutin “Santa Maria”, në Romë. U kthye në Shqipëri më 1944. Nën diktaturën komuniste, familja Pervizi u persekutua për shkak të Gjeneral Prenk Pervizit, në burgje e kampe internimi; ai shpëtoi pranë librarisë së familjes Pepo në Tiranë. Më 1949 arriti të fillojë Liceun Artistik në Tiranë, por në maj të vitit 1950 u arrestua bashkë me të vëllanë, Valentin Pervizin. U internua në Porto Palermo. Një vit më vonë u transferua në kampin e Tepelenës, ku u takua me të ëmën (gjyshja ndërkaq kishte vdekur). Aty arriti të vizatojë skena e portrete nga jeta e kampit, si dhe të krijojë disa poezi, një pjesë e të cilave shpëtuan dhe u botuan pas rënies së diktaturës.

Pas mbylljes së kampit më 1954, u transferua në Plug të Lushnjës. Një vit më vonë, u dërgua në Shtyllas të Fierit e prej këtu në Kuç të Kurveleshit. Më 1958 u kthye në Plug (deri më 1990). Pas rënies së komunizmit, u vendos familjarisht në Belgjikë, ku jeton edhe sot. Atje merret me shkrime dhe boton e drejton revistën “Kuq e Zi”. Veprat e tij janë: “Në vorbullën e Skëterrës”, Bruksel 2014; “Në rrathët e Ferrit” (album), ISKK, Tiranë 2014; “Tingëllime të vona”, Bruksel 2016; Lek Pervizi, “Odiseja e pafajësisë”, Bruksel 2017; Gjenerali, “Gjergj Fishta”, Lezhë 2017. Përkthime: Dhimitër Frangu, “Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, “Arbëria”, Tiranë 2005. U kthye në Shqipëri më 1944. Nën diktaturën komuniste, familja Pervizi u persekutua për shkak të Gjeneral Prenk Pervizit, në burgje e kampe internimi.

Ai shpëtoi pranë librarisë së familjes Pepo në Tiranë. Më 1949 arriti të fillojë Liceun Artistik në Tiranë, por në maj të vitit 1950 u arrestua bashkë me të vëllanë, Valentin Pervizin. U internua në Porto Palermo. Një vit më vonë u transferua në kampin e Tepelenës, ku u takua me të ëmën (gjyshja ndërkaq kishte vdekur). Aty arriti të vizatojë skena e portrete nga jeta e kampit, si dhe të krijojë disa poezi, një pjesë e të cilave shpëtuan dhe u botuan pas rënies së diktaturës. Pas mbylljes së kampit më 1954, u transferua në Plug të Lushnjës. Një vit më vonë, u dërgua në Shtyllas të Fierit e prej këtu në Kuç të Kurveleshit. Më 1958 u kthye në Plug (deri më 1990). Pas rënies së komunizmit, u vendos familjarisht në Belgjikë, ku jeton edhe sot. Atje merret me shkrime dhe boton e drejton revistën “Kuq e Zi”.



Read it all at Bota Sot