Shpërthen kryeministri i Belgjikës: Evropa para zgjedhjes fatale, rrezikojmë dinjitetin

- Bota Sot

Shpërthen kryeministri i Belgjikës: Evropa para zgjedhjes fatale, rrezikojmë dinjitetin

Retorika diplomatike midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara ka prekur një nivel të ri tensioni. Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, ka lëshuar një paralajmërim të fortë për udhëheqësit evropianë, duke deklaruar se provokimet e fundit të Donald Trump, veçanërisht ato lidhur me Groenlandën, kanë kaluar çdo vijë të kuqe.

Gjatë një paneli diskutimi mbi të ardhmen gjeopolitike të Evropës, De Wever nuk i ka kursyer krahasimet e ashpra, duke e vendosur kontinentin e vjetër përpara një pasqyre të vështirë.

“Vasal i lumtur” apo “Skllav i mjerë”

Në qendër të kritikës së tij ishte pozita e Evropës në raport me Uashingtonin.

“Të jesh një vasal i lumtur është një gjë. Të jesh një skllav i mjerë është diçka tjetër. Nëse tërhiqesh tani, do të humbasësh dinjitetin tënd”, deklaroi De Wever.

Këto deklarata vijnë vetëm pak orë përpara një takimi të rëndësishëm. De Wever konfirmoi se të mërkurën, së bashku me Mbretin Philippe të Belgjikës, do të zhvillojnë një takim me Presidentin Trump. Qëllimi është të bëjnë presion për rikthimin te parimet e vjetra të aleancës ushtarake, por tonet paraprake sugjerojnë një takim të tensionuar, transmeton RTSH.

Fundi i 80 viteve Atlantizëm?

Kryeministri belg ngriti alarmin se aleanca historike transatlantike është në rrezik ekzistencial.

“Ose qëndrojmë së bashku ose do të qëndrojmë të ndarë, dhe nëse jemi të ndarë, ky është fundi i një epoke, e 80 viteve të atlantizmit”, tha ai.

Duke cituar filozofin italian Antonio Gramsci për të përshkruar këtë kohë krizash dhe transformimesh, De Wever ia hodhi topin në fushë Presidentit amerikan me një metaforë të guximshme:

“Varet nga ai (Trump) të vendosë nëse dëshiron të jetë një përbindësh – po ose jo.”

Ky qëndrim i Belgjikës, vendit që strehon selinë e NATO-s dhe BE-së, sinjalizon se durimi strategjik i Evropës ndaj administratës Trump mund të jetë duke mbaruar.



Read it all at Bota Sot