Acari dhe mungesat sfidojnë Barcelonën në Pragë

- Bota Sot

Acari dhe mungesat sfidojnë Barcelonën në Pragë

Barcelona është përballur menjëherë me kushte ekstreme sapo ka mbërritur në Pragë, ku temperaturat nën zero janë shndërruar në një nga “armiqtë” kryesorë të skuadrës.

Në momentin e mbërritjes, termometri shënonte –3 gradë Celsius, ndërsa në orarin e ndeshjes parashikohet të zbresë në –5, për të arritur deri në –8 gjatë orëve të para të mëngjesit në kryeqytetin çek.

E vetëdijshme për kushtet e vështira klimatike, Barcelona ka marrë masa shtesë, me stafin që ka përgatitur veshje më të ngrohta për lojtarët, veçanërisht doreza dhe geta termike.

Delegacioni blaugrana u kryesua nga presidenti Joan Laporta, i shoqëruar nga zëvendëspresidenti Rafa Juste dhe anëtarë të bordit drejtues.

Skuadra mbërriti në aeroportin e Pragës rreth orës 12:40 dhe u sistemua në hotelin historik “Mandarin Oriental”. Aty, rreth 50 tifozë kishin dalë për të përshëndetur lojtarët, disa prej tyre të veshur me fanellën e Pedrit, një nga figurat kyçe të lojës së Barcelonës.

Përtej të ftohtit, trajneri Hansi Flick duhet të përballet edhe me disa mungesa të rëndësishme. Lamine Yamal mungon për shkak skualifikimi, ndërsa Ferran Torres nuk është i disponueshëm për shkak pezullimi dhe një tërheqjeje muskulore në kofshë. Këto mungesa i shtohen dëmtimeve afatgjata të Gavit dhe Andreas Christensen.

Nga ana tjetër, ka edhe lajme pozitive për katalanasit. Raphinha është rikthyer dhe është sërish në dispozicion të Flick, duke i dhënë më shumë alternativa repartit ofensiv.

Diego Kochen është përfshirë si portieri i tretë, ndërsa Zhofre dhe Tomi rikthehen në listë. Në skuadër janë grumbulluar gjithashtu edhe dy të rinj nga ekipi rezervë, Juan Hernández dhe Dani Rodríguez.

Mes acarit dhe mungesave, Barcelona synon të tregojë karakter në Pragë, në një transfertë që pritet të jetë po aq e ftohtë sa edhe e vështirë në aspektin sportiv.



Read it all at Bota Sot