Turpërimi në Norvegji

- Bota Sot

Turpërimi në Norvegji

Një gjest i rrallë, plot respekt dhe vetëkritikë, vjen nga lojtarët e Manchester City-t pas humbjes 3:1 ndaj Bodo/Glimt në Norvegji, në një ndeshje të vlefshme për Champions League.

Pas disfatës së pësuar në kushte të vështira klimatike, në Arktik dhe mes temperaturave shumë të ulëta, skuadra angleze ka vendosur të rimbursojë plotësisht tifozët që udhëtuan për ta mbështetur ekipin.

Sipas asaj që raporton ‘The Times’, iniciativa ka ardhur nga grupi i ashtuquajtur i “senatorëve” të skuadrës, i përbërë nga kapiteni Bernardo Silva dhe zëvendëskapitenët Ruben Dias, Rodri dhe Erling Haaland. Ata kanë marrë përsipër mbulimin e të gjitha shpenzimeve të udhëtimit për tifozët, përfshirë biletat e avionit dhe akomodimin në hotel.

Kostoja totale e këtij gjesti vlerësohet rreth 9.357 paundë, shumë që do të paguhet tërësisht nga xhepi i lojtarëve. Një veprim simbolik, por domethënës, që tregon ndërgjegjësimin e futbollistëve për paraqitjen zhgënjyese dhe përgjegjësinë që ndiejnë ndaj tifozëve të tyre.

Humbja në Norvegji u konsiderua si një nga performancat më të dobëta të City-t në Europë këtë sezon, duke lënë shije të hidhur tek ata mbështetës të paktë që përballuan një udhëtim të gjatë dhe kushte ekstreme për të ndjekur skuadrën nga afër. Me këtë vendim, lojtarët kanë dashur të dërgojnë një mesazh të qartë: lidhja me tifozët dhe respekti për sakrificat e tyre janë po aq të rëndësishme sa rezultatet në fushë.



Read it all at Bota Sot