Arsenal dhe Bajern sigurojnë tetëshen

- Bota Sot

Arsenal dhe Bajern sigurojnë tetëshen

Ndeshjet e së mërkurës në Ligën e Kampioneve kanë sjellë zhvillime të rëndësishme në renditje, duke e çuar në 15 numrin e skuadrave që kanë siguruar matematikisht kualifikimin për fazën tjetër të turneut.

Megjithatë, vetëm dy ekipe – Arsenal dhe Bajern Mynih – e kanë të garantuar edhe një vend në tetëshen e parë, një avantazh i madh në shortin e fazës pasuese.

Renditja aktuale flet qartë për dominimin e klubeve angleze, të cilat po bëjnë ligjin në Champions.

Plot pesë skuadra nga Premier League janë mes më të mirave, duke e kthyer Anglinë në protagonisten absolute të këtij edicioni.

Paradoksalisht, jashtë tetëshes së parë mbetet Mançester Siti, një nga favoritët kryesorë për fitimin e trofeut.

Skuadrat që kanë siguruar kualifikimin janë: Arsenal, Bajern Mynih, Real Madrid, Liverpul, Totenhem, PSG, Njukasëll, Çelsi, Barcelona, Sporting, Mançester Siti, Atletiko Madrid, Atalanta, Inter dhe Juventus.

Një listë që përfshin pothuajse të gjithë gjigantët e futbollit europian, por që ende nuk jep siguri për pozicionimin përfundimtar.

Në krahun tjetër të tabelës, katër ekipe i kanë dhënë lamtumirën matematikisht turneut: Eintraht Frankfurt, Slavia Pragë, Vijareal dhe Kairat Almati, të cilat nuk kanë më asnjë shans për kualifikim.

Situata më shqetësuese është ajo e Napolit, që aktualisht ndodhet jashtë zonës së kualifikimit dhe është pranë një eliminimi të bujshëm. Në rrezik serioz janë gjithashtu Benfika dhe Ajaksi, të cilat duhet të shpresojnë te kombinime rezultatesh për të mbijetuar në garë.

Champions League po hyn në fazën më të nxehtë, ku çdo pikë mund të bëjë diferencën mes lavdisë dhe dështimit.



Read it all at Bota Sot