Skënderbeu është i destinuar të rikthehet sa më shpejt te fitorja, në mënyrë që të mos vërë në diskutim kryesimin e Kategorisë së Parë.
Pas frenimit në shtëpi ndaj Luftëtarit, korçarët ruajnë ende vendin e parë, por diferenca me ndjekësit është ngushtuar, duke qenë tani vetëm 5 pikë para Laçit, me kurbinasit që kanë rritur ndjeshëm presionin në startin e vitit 2026.
Të shtunën, “ujqërit e dëborës” do të përballen me një transfertë tepër delikate, pasi i pret Besa e drejtuar nga Gugash Magani. Verdhezinjtë janë një kundërshtar i vështirë, sidomos në drejtimin e teknikut peqinas, ku ende nuk e njohin shijen e humbjes, çka e bën përballjen edhe më sfiduese për bardhekuqtë.
Paralelisht me përgatitjet për t’u rikthyer te fitorja dhe për të ruajtur avantazhin në krye të renditjes, drejtuesit e Skënderbeut po punojnë intensivisht edhe në merkato.
Përforcimi i skuadrës është kthyer në domosdoshmëri, duke pasur parasysh se katër titullarë të huaj, për shkak të problemeve me dokumentacionin, ende nuk janë rikthyer në Korçë, duke kufizuar alternativat e stafit teknik. Në këtë kontekst, klubi ka lëvizur me kujdes, por edhe me vendosmëri, duke kryer disa afrime strategjike. Ajo që spikat më shumë është transferimi i një sulmuesi nga Norvegjia, i cili prej ditësh ishte në provë dhe ka arritur të bindë plotësisht stafin teknik.
Tashmë mund të thuhet zyrtarisht se Skënderbeu ka finalizuar afrimin e radhës në këtë merkato dimërore. Bëhet fjalë për sulmuesin norvegjez Elias Arflot, i cili do të jetë pjesë e bardhekuqve në vazhdim të sezonit. Arflot u stërvit për disa ditë me skuadrën dhe vendimi përfundimtar u mor pas ndeshjes miqësore ndaj Devollit, ku Skënderbeu triumfoi falë dy golave të shënuar pikërisht nga futbollisti norvegjez.
Paraqitja bindëse, nuhatja e golit dhe efikasiteti para portës kanë qenë faktorët kyç që bindën stafin teknik.
Me afrimin e Arflot, Skënderbeu fiton një alternativë më shumë në repartin ofensiv, duke synuar jo vetëm rikthimin te fitorja, por edhe konsolidimin e kryesimit drejt objektivit final, rikthimin aty ku e konsideron veten si destinacion të natyrshëm. Më herët korçarët kanë afruar në ekip edhe Antonio Delaj, Leonardo Maloku, Klajdi Paloka, Ezema Shedrack Ndubisi, të cilët klubi ende nuk i ka prezantuar. Gjithsesi, këtë fundjavë pritet debutimi i disa prej tyre në përballjen me Besën, takim i cili do të luhet të shtunën në stadiumin e Luzit.