Murinjo justifikohet me mungesa

- Bota Sot

Murinjo justifikohet me mungesa

Benfika u mposht 2:0 nga Juventusi në ndeshjen e Champions League, një humbje që e ndërlikon ndjeshëm rrugëtimin e portugezëve drejt kualifikimit.

Pas sfidës, trajneri Jose Murinjo analizoi takimin për “Prime Video”, duke theksuar mungesat e shumta dhe momentet kyçe që, sipas tij, vendosën fatin e ndeshjes.

Tekniku portugez u shpreh se, pavarësisht problemeve në formacion, Benfika tregoi organizim dhe personalitet në fushë.

“Pashë një skuadër të rregullt, me shumë lojtarë jashtë për shkak mungesash, por që krijoi rastet më të rrezikshme për të shënuar deri në një moment të caktuar.

Dukej sikur mund të shënonim, por futbolli është kështu,” u shpreh Murinjo.

Sipas tij, dy golat e Juventusit ndryshuan plotësisht rrjedhën e takimit, duke e bërë ndeshjen më të lehtë për italianët, sidomos pas golit të dytë.

Murinjo ndaloi edhe te reagimi i skuadrës në pjesën e dytë, duke vlerësuar krenarinë dhe përpjekjen e lojtarëve të rinj që erdhën nga stoli.

“Nuk ishte për të ndryshuar rezultatin, por për ta balancuar ndeshjen. Mund ta rihapnim gjithçka me penallti, por nuk e shënuam dhe aty përfundoi gjithçka,” theksoi ai.

Sa i përket të ardhmes, trajneri i Benfikës u shpreh realist. Ai nënvizoi se objektivat e klubit mbeten të mëdha, por situata është e ndërlikuar si në kampionat, ashtu edhe në Europë.

“Në Champions do të përballemi me Real Madrid me të njëjtët lojtarë.

Nuk e di nëse 9 pikë do të mjaftojnë për t’u kualifikuar; mendoj se do të jetë shumë e vështirë”, përfundoi Murinjo.



Read it all at Bota Sot