Klisman Cake e shikon të mundur kualifikimin në Botëror 2026.
Një nga afrimet e fundit në Kombëtare thotë për FSHF TV se mund të realizohet ëndrra e çdo shqiptari.
“Besojmë se mund të shkojmë më tej. Ka qenë ëndrra e çdo shqiptari. Besojmë se mund të kalojmë më tej“, u shpreh Cake.
Shqipëria do të luajë më 26 mars me Poloninë në Varshavë gjysmëfinalen e “play-off”-it dhe, nëse e kalon me sukses, më pas më 31 mars, po në transfertë, me fituesin e sfidës Ukrainë – Suedi.
Cake u transferua gjatë merkatos së dimrit te Akhmat Grozny, skuadër e Superligës së Rusisë. Mbrojtësi 26-vjeçar sqaron pse kjo zgjedhje.
“Dihet që niveli i futbollit në Rusi është më i lartë, jam shumë i lumtur që ndodhem aty për momentin. Kisha edhe oferta të tjera, por na u duk zgjedhja më e mirë“, tha ai.
Klisman Cake është aktivizuar gjatë karrierës së tij me Tiranën, Strugën dhe Shkëndijen e Tetovës.