Ter Stegen prezantohet te Girona

- Bota Sot

Ter Stegen prezantohet te Girona

Marc-André ter Stegen është prezantuar zyrtarisht si lojtar i Gironës, pasi u largua nga Barcelona gjatë merkatos së janarit.

Portieri gjerman ka kaluar te klubi më i vogël katalanas në formë huazimi deri në verë, pa opsion blerjeje, duke mbetur kështu në të njëjtin rajon. Vendimi i tij lidhet drejtpërdrejt me nevojën për të luajtur rregullisht, me synimin për të qenë pjesë e Kombëtares së Gjermanisë në Botërorin 2026.

Në konferencën për shtyp të prezantimit, Ter Stegen foli hapur për periudhën e vështirë në “Camp Nou” dhe për vendimin e trajnerit Hansi Flick për t’ia besuar vendin e titullarit Joan García-s.

“Pas dëmtimit, doja të rikthehesha sa më shpejt në fushë. U stërvita shumë për këtë, por vendimi i trajnerit duhet gjithmonë respektuar. Ata zgjodhën Joanin, i cili po bën një punë shumë të mirë dhe unë e respektoj plotësisht këtë”, u shpreh gjermani.

Ai pranoi se ndarja me Barcelonën ka qenë emocionalisht shumë e fortë. “Lamtumira nga Barcelona ishte shumë e vështirë. Ende e kam të vështirë të flas për këtë.

Pas gati 12 vitesh në klub, është një ndryshim i madh. Kam kujtime të paharrueshme që do t’i mbaj përgjithmonë në zemër.

Kam qenë kapiten i Barcelonës dhe gjithmonë jam përpjekur ta përfaqësoj klubin me respekt maksimal”, tha Ter Stegen.

Sa i përket aventurës së re, portieri theksoi se është i motivuar dhe i lumtur. “Jam i kënaqur që jam këtu. Më pëlqen stili i lojës së Gironës dhe dua të kontribuoj me eksperiencën dhe aftësitë e mia”, shtoi ai, duke nënvizuar se ka ardhur për të konkurruar seriozisht për një vend titullari, pavarësisht respektit për Gazzanigën.

Ter Stegen bëri të qartë se synimi i tij është i vetëm: të luajë, të shijojë futbollin dhe të japë maksimumin për fanellën e Gironës.



Read it all at Bota Sot