Mbappe shpërthen te Real Madridi

- Bota Sot

Mbappe shpërthen te Real Madridi

Kylian Mbappe po jeton një sezon spektakolar me fanellën e Real Madridit, duke regjistruar më shumë gola sesa ndeshje të luajtura me “Los Blancos”. Sulmuesi francez po konfirmon rolin e tij si lider absolut, pavarësisht luhatjeve në lojën e skuadrës madrilene.

Edhe pse sezoni i Realit ka pasur momente jo të qëndrueshme dhe disa pikëpyetje mbeten të hapura,

Mbappe ka qenë vazhdimisht faktori vendimtar në fushë.

Ai nuk ka kursyer as ish-klubet e tij, me Monacon që e ndjeu fuqinë e tij të martën mbrëma, kur francezi realizoi dy gola, duke i dhënë Real Madridit kontrollin e ndeshjes dhe duke rikthyer entuziazmin në “Santiago Bernabeu”.

Forma e ekipit mund të luhatet, por ndikimi i Mbappés mbetet konstant. Në total, 27-vjeçari ka shënuar 32 gola në 27 paraqitje me Real Madridin, shifra që flasin vetë për nivelin e tij aktual.

Prej këtyre golave, 19 janë realizuar në La Liga dhe 11 në Ligën e Kampionëve, duke e bërë atë golashënuesin kryesor të Real Madridit në të dyja kompeticionet deri në këtë fazë të sezonit. Me 11 gola në Evropë, Mbappé ka barazuar rekordin e Cristiano Ronaldos për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, një rekord që mund ta thyejë në ndeshjen e radhës në Lisbonë.

Duhet theksuar se faza aktuale e grupeve përfshin tetë ndeshje, ndryshe nga sezoni kur Ronaldo vendosi rekordin e tij me vetëm gjashtë ndeshje.

Rekorde të tjera në shënjestër

Një tjetër objektiv madhor për Mbappén është rekordi legjendar prej 17 golash i Cristiano Ronaldos në Ligën e Kampionëve gjatë sezonit 2013/14. Francezi ka tashmë 44 gola në 59 ndeshje në këtë kompeticion përgjatë karrierës së tij dhe shanset për t’iu afruar ose tejkaluar këtë shifër do të varen nga ecuria e Real Madridit në fazat eliminatore.

Aktualisht, madrilenët janë shumë pranë sigurimit të një kualifikimi direkt në raundin e 16 më të mirave.

Në moshën 27-vjeçare, Mbappé vazhdon të thyejë rekorde dhe të konfirmojë statusin e tij si një nga futbollistët më dominues të brezit të tij. Edhe pse shifrat legjendare të idhullit të tij të fëmijërisë mbeten ende larg, një sfidues i ri po ngrihet fuqishëm në Evropë – dhe pikërisht në ish-klubin e Cristiano Ronaldos – duke vënë në provë disa nga rekordet më mbresëlënëse të futbollit modern.



Read it all at Bota Sot