Jo gjithçka shkoi në mënyrë perfekte për Bayernin në fitoren 2:0 ndaj Union Seint-Zhilua të mërkurën në mbrëmje. Megjithatë, në fund kishte kënaqësi në kampin bavarez dhe jo vetëm për shkak të rezultatit dhe kualifikimit të drejtpërdrejtë për në raundin e 1/8-ave.
“Nuk mund të jetë gjithmonë e lehtë, kjo është Liga e Kampionëve,” tha Vinsent Kompani pas fitores ndaj belgëve.
Veçanërisht pjesa e parë e la skuadrën e Mynihut të pakënaqur. “Nuk dua të them se kundërshtari ishte më i mirë, por ritmi ynë nuk ishte i duhuri,” u ankua trajneri bavarez.
Kapiteni i Bajernit, Manuel Nojer, e ndau të njëjtin mendim:
“Në pjesën e parë nuk ishim aq të pastër, as aq të shpejtë dhe as aq të saktë në tranzicionet tona.”
Edhe heroi i ndeshjes, Herri Kejn, i cili shënoi të dy golat për Bajernin, e përshkroi paraqitjen para pushimit si “paksa të pakujdesshme”. Pastaj erdhi pjesa e dytë. “Donim të tregonim më shumë intensitet. E bëmë këtë dhe shënuam në momentet e duhura. Edhe pas kartonit të kuq (për Min-Zhae Kim), vazhduam të luftonim,” theksoi anglezi. Trajneri i tij e pa situatën njësoj.
“Edhe me dhjetë lojtarë, në fakt luajtëm shumë mirë. Kjo ishte padyshim një përmirësim në performancë, skuadra reagoi dhe kjo ishte gjë e mirë,” përfundoi Kompani. Pikërisht reagimi i ekipit të tij ishte ajo që e kënaqi më shumë Vinsent Kompaninë.
“Sigurisht që edhe kundërshtarët përpiqen të hedhin gjithçka që kanë kundër nesh. Kam luajtur më parë në skuadra dominuese dhe ndonjëherë loja klikon vërtet vetëm në pjesën e dytë. Nuk duhet ta harrojmë: po luajmë çdo tre ditë dhe po ecim shumë mirë për momentin. Ekuilibri është aty,” e mbylli fjalimin eë tij Kompani me nota pozitive.
Edhe Kejn e pa situatën në të njëjtën mënyrë dhe në fund madje humbi mundësinë për një 3-golësh dhe penalltinë e tij të 100 të realizuar si profesionist, pasi (pas një penalltie që e kishte shënuar më herët në ndeshje) goditi traversën nga poshtë në një tjetër penallti për prekje të topit me dorë. “Do ta bëj më mirë herën tjetër,” u zotua 32 vjeçari, duke premtuar përmirësim dhe i kënaqur me fitoren dhe me plot të drejtë. “Na pret një kalendar shumë i ngjeshur në shkurt. Prandaj kjo fitore ishte kaq e rëndësishme”.