Si u grabit pasuria e Sylvie Meis në Ibiza, shqiptari i akuzuar tregon gjithçka

- Bota Sot

Si u grabit pasuria e Sylvie Meis në Ibiza, shqiptari i akuzuar tregon gjithçka

Moderatorja dhe modelja e njohur holandeze, Sylvie Meis, ka qenë viktimë e një vjedhjeje me thyerje gjatë verës së vitit 2023, ndërsa ndodhej me pushime në Ibiza. Sipas autoriteteve gjermane, nga banesa e saj janë vjedhur çanta luksoze dhe bizhuteri me një vlerë totale që kap shifrën mbi 800 mijë euro.

Më 22 janar, një nga dy personat e dyshuar u paraqit para Gjykatës së Lartë Rajonale të Hamburgut, ku akuzohet për vjedhje me thyerje në bashkëpunim. I dyshuari është një shtetas shqiptar, i identifikuar me inicialet M.U., i cili gjatë ditës së parë të gjyqit ka bërë një rrëfim të plotë lidhur me ngjarjen.

Sylvie Meis nuk ishte e pranishme në seancën e parë gjyqësore, pasi nuk ishte thirrur si dëshmitare.

Sipas aktakuzës, vjedhja ka ndodhur në periudhën 6–14 korrik 2023, kohë gjatë së cilës prezantuesja ndodhej jashtë vendit. Kjo mungesë, sipas hetimeve, ishte dokumentuar edhe në rrjetet sociale të saj. Autorët dyshohet se kanë hyrë në banesë përmes një ndërtese fqinje që ishte e rrethuar me skela dhe më pas kanë depërtuar në apartament duke thyer një dritare tavani, e cila nuk ishte e lidhur me sistem alarmi.

Nga garderoba e banesës janë marrë 22 çanta Hermès, katër çanta Chanel, si dhe çanta të markave të njohura Bulgari, Céline dhe Yves Saint Laurent, përveç bizhuterive të shtrenjta. Vlera totale e sendeve të vjedhura vlerësohet rreth 800 mijë euro, citon noa.al, duke iu referuar portalit Ibiza Live Report.

I pandehuri, baba i dy fëmijëve, ka deklaruar se ka përfituar 15 mijë euro për pjesëmarrjen në vjedhje. Ai ka theksuar se më parë ka punuar ligjërisht si shofer taksie dhe se vendimi për t’u përfshirë në këtë akt lidhej me vështirësi të rënda familjare dhe shëndetësore, përfshirë sëmundje kronike të prindërve të tij.

Procesi gjyqësor vijon, ndërsa autoritetet gjermane po hetojnë edhe rolin e bashkëpunëtorit tjetër të dyshuar në këtë çështje.



Read it all at Bota Sot