Bordi i Aleancës Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA) shpreh trishtimin e tij të thellë pas vrasjes së gazetarëve në Gaza, përfshirë Abdul Raouf Shaat, një gazetar i pavarur fotografish dhe videosh i cili kontribuonte rregullisht për anëtarin e EANA-s, Agence France-Presse (AFP).
Sipas njoftimit, EANA mbështet plotësisht thirrjen e AFP-së për një hetim të plotë, transparent dhe të pavarur për këtë ngjarje tragjike. Ne i bëjmë jehonë kërkesës urgjente për qartësi dhe llogaridhënie dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve të mbështesin ligjin ndërkombëtar dhe të mbrojnë gazetarët.
“Dëshirojmë të nënvizojmë përsëri dhe tu tërheqim vëmendjen të gjitha palëve se liria e shtypit është një gur themeli i shoqërive demokratike dhe se gazetarët kryejnë një shërbim publik thelbësor duke raportuar faktet, duke mundësuar kështu diskursin publik të informuar dhe vendimmarrjen për qytetarët dhe politikanët njësoj”, thuhet në njoftimin e EANA
Më tej thuhet se EANA përsërit solidaritetin e saj me AFP-në dhe me të gjithë gazetarët e prekur nga dhuna në zonat e konfliktit. Ne riafirmojmë angazhimin tonë për lirinë e shtypit dhe për të mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e profesionistëve të medias kudo.
Ndërkaq, KosovaPress në shtator të 2022-ës, në Asamblenë Gjenerale, është bërë anëtare me të drejta të plota në Aleancën Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), dhe me ketë anëtarësim KosovaPress-it iu hapën edhe më shumë rrugët për të bashkëpunuar me të gjitha agjencitë e lajmeve të Evropës duke sjell produktet që i ofrojnë këto agjenci.