Kryetari i grupit të tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha, ka bërë thirrje për bashkim dhe në të mirë të futbollit të Kosovës.
Berisha tha se edhe 60 ditë Kosovën e ndajnë nga ndeshja e madhe me Sllovakinë në kuadër të gjysmëfinales së Play-off-it.
Berisha kërkon që të janë të bashkuar dhe në të mirë të Kosovës.
“Kur jemi 60 ditë në prag të datës më të rëndësishme që shënon jo vetëm futbolli apo sporti i Kosovës, por edhe Republika, për peshën që ngërthen në afirmimin e shtetësisë tonë dhe vlerave e cilësive tona në futboll, pra ndeshjes kundër Sllovakisë dhe afrimit të 180 minutave finale para se të kulmojmë me kualifikimin në Kupën e Botës, ëndrrën e plot brezave, na dalin rrugës disa pengesa dhe protagonistë artificialë.
Duke sulmuar e duke iu vërsulur federatës së futbollit, minojnë indirekt edhe organizimin dhe momentumin e mrekullueshëm që është krijuar këto muaj, e që ka reflektuar edhe me rezultate kulminante.
Zëra që nuk janë e as nuk kanë qenë ndonjëherë aktorë relevantë të futbollit, flasin për të, duke u munduar që përmes sajesave dhe intrigave të marrin rolin e protagonistëve.
Për fatin e keq dhe të zi, nuk mungon as dora e shtetit në këtë maskaradë, ku po synohet të gjendet dëshpërimisht kurbani e jo të lihet funksionimi me duar të lira i një institucioni, e bashkë me të i tërë mekanizmit përcjellës që ka bërë punë të mira, me rezultate të pamohueshme dhe po aq të prekshme.
Ndoshta disa pyetje ka ardhur koha të shtrohen se si është e mundur që para çdo grumbullimi të rëndësishëm, mekanizmat institucionale shtetërore, duke u përkrahur dhe shtyrë prej disa njerëzve që vuajnë të jenë faktorë pa asnjë bagazh në këtë fushë, dalin në skenë dhe kontaminojnë publikun me negativitet, paqartësi, amolli dhe zhurma.
Dikush duhet të japë përgjigje dhe përgjegjësi se përse këto barbarizme ndodhin në prag dhe gjatë përgatitjeve për grumbullimin e Kombëtares së Kosovës, para ndonjë ndeshjeje me peshë historike. Prandaj bëj ftesë për bashkim.
Ky pluhur artificial është i pafuqishëm për ta penguar rrugëtimin historik që ka nisur e që do të kulmojë me valimin e flamurit të Republikës në SHBA në syrin e krejt botës gjatë qershorit që po vjen. Vazhdojmë bashkë e të pathyeshëm drejt qëllimit kryesor që disa po luten e punojnë të mos ndodh: pjesëmarrja në Kupën e Botës 2026!”, ka reaguar Berisha.