Moska ka intensifikuar ndjeshëm bombardimet ndaj sistemit energjetik të Ukrainës që nga nisja e pushtimit në vitin 2022. Të shtunën, Rusia ndërmori një ofensivë të gjerë kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke shkaktuar shpërthime të forta në Kiev gjatë natës dhe duke lënë rreth 1.2 milionë objekte pa energji elektrike në mbarë vendin, në kushte temperaturash nën zero.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitalii Klitschko, deklaroi se rreth 1.700 pallate në kryeqytetin ukrainas kanë mbetur pa ngrohje pas një sulmi rus me raketa dhe dronë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se objektivat kryesore të Rusisë janë sektori energjetik, infrastruktura kritike dhe ndërtesat e banimit. Ai theksoi se po vazhdon punën me ndërkombëtarët për të siguruar mbrojtje për vendin e tij.
“Ne vazhdojmë të punojmë me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën për të siguruar mbrojtje më të fortë të qiellit tonë. Sot, në Vilnius, po koordinohemi me partnerët tanë në rajon – Lituaninë dhe Poloninë. Po punojmë me çdo udhëheqës për të forcuar Ukrainën”, tha Zelensky.
Goditja e madhe ndaj Kievit ndodhi në një kohë kur negociatorë të Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara po diskutonin në Abu Dhabi opsione për përfundimin e luftës.