QKM: Nga nesër në dreke ndërpritet qarkullimi i kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë

- Gazeta e Prizrenit

QKM: Nga nesër në dreke ndërpritet qarkullimi i kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka njoftuar se, sipas informatave të pranuara nga zyrtarët kufitarë të palës serbe, nga nesër, më 26.01.2026, duke filluar nga ora 12:00, do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat e kalimit kufitar me Serbinë.
Sipas njoftimit, ndërprerja vjen si pasojë e protestave të paralajmëruara nga shoferët e kamionëve, lidhur me masat e ndërmarra nga Bashkimi Evropian për transportuesit e rajonit. Protestat do të zhvillohen në territorin e Serbisë dhe pritet të zgjasin deri në shtatë ditë.
QKMK bën të ditur se këto protesta do të ndikojnë në qarkullimin e mjeteve të transportit dhe të mallrave, si dhe do të shkaktojnë mbingarkesë të trafikut në zonat kufitare të Republikës së Kosovës me vendet e rajonit që janë të përfshira në protesta.
Autoritetet u rekomandojnë shoqatave të transportit të mallrave dhe shoferëve të kamionëve që të mbajnë kontakte të vazhdueshme me homologët dhe kolegët e tyre në rajon, me qëllim të informimit në kohë mbi zhvillimet.
Për informata shtesë, qytetarët dhe operatorët ekonomikë mund të kontaktojnë QKMK në numrat +383 45 198 000, +383 45 198 606, si dhe në numrin pa pagesë 0800 50095.


Read it all at Gazeta e Prizrenit