Modriç sfidon moshën

- Bota Sot

Modriç sfidon moshën

Në “Olimpico”, Luka Modriç dha një tjetër shembull se për kampionët e vërtetë koha është thjesht një detaj.

Në moshën 40-vjeçare, mesfushori kroat ishte një nga protagonistët kryesorë të barazimit në ndeshjen Roma–Milan (1-1), duke zhvilluar një ndeshje të plotë, të pasur me vrap, qartësi vendimmarrjeje dhe lexime të sakta të lojës. Jo vetëm ndjesi: numrat e tij e tregojnë nivelin e lartë të performancës.

Modric luajti gjithë ndeshjen, duke nisur titullar dhe duke përfunduar me një asist vendimtar.

Ai regjistroi 73 prekje të topit, me një precizion në pasime prej 89%: 51 pasime të sakta nga 57 të tentuara, 14 prej të cilave përpara dhe 5 në zonën e kundërshtarit.

Ai krijoi një mundësi të madhe shënimi dhe shërbeu 2 topa brenda zonës, duke konfirmuar rëndësinë e tij në ndërtimin ofensiv të Milanit.

Por kontributi i Modric-it nuk u kufizua vetëm tek topi.

Ai rikuperoi 7 topa, realizoi 3 ndërhyrje dhe fitoi 6 duele, duke treguar shpirt sakrifice në një ndeshje ku Roma shtyu kryesisht në pjesën e parë.

Mes presionit të verdhekuqve, Modric ishte pikë referimi e vazhdueshme, i aftë t’i japte rend dhe ritëm të saktë manovrës së Milanit, duke treguar një herë tjetër se klasi dhe lidershipi nuk shkojnë kurrë me moshën.

Performanca e tij në ‘Olimpico’ është një dëshmi e qartë e përjetësisë së një lojtari që vazhdon të shkëlqejë edhe në një moshë ku shumica e futbollistëve e kanë lënë fushën.



Read it all at Bota Sot