Lëvizje befasuese te Partizani

- Bota Sot

Lëvizje befasuese te Partizani

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm pritet te Partizani, ku gjithçka duket gati për rikthimin e një emri të njohur. Valentino Murataj është pranë zyrtarizimit me klubin e kuq, pasi ka mbyllur zyrtarisht bashkëpunimin me Flamurtarin dhe synimi i tij kryesor mbetet kthimi në “shtëpi”.

Mesfushori 29-vjeçar e ka bërë të qartë dëshirën e tij edhe përmes një sinjali simbolik në rrjetet sociale. Murataj ka rikthyer disa postime nga e kaluara me fanellën e Partizanit, duke sjellë në kujtesë momentet më të rëndësishme të karrierës së tij në kryeqytet.

Në veçanti bien në sy festimet e titullit kampion të vitit 2023, por edhe sfidat e zjarrta derbi ndaj Tiranës, ndeshje ku Murataj ka qenë shpesh protagonist.

Me Partizanin, ish-kapiteni numëron plot 144 paraqitje zyrtare, shifër që flet qartë për peshën dhe rëndësinë e tij në historinë e fundit të klubit.

Nëse gjithçka do të konkretizohet, Murataj do të ishte përforcimi i dytë në mesfushë për Partizanin gjatë merkatos së janarit, pas afrimit të Kamer Qakës. Klubi i kuq ka ndërhyrë edhe në repartin ofensiv, duke siguruar shërbimet e Sekou Sidibé, në përpjekje për të forcuar skuadrën në gjysmën e dytë të sezonit.

Rikthimi i Muratajt pritet të sjellë eksperiencë, lidership dhe identitet në mesin e fushës për “demat”.



Read it all at Bota Sot