Fonseca kërkon ta mbajë

- Bota Sot

Fonseca kërkon ta mbajë

Endrick është kthyer në surprizën më të madhe të merkatos dimërore në Ligue 1.

Olympique Lyon, në kërkim urgjent të zgjidhjeve në sulm, arriti ta marrë talentin brazilian nga Real Madridi në formë huazimi deri në fund të sezonit, duke i garantuar minutazhin që ai nuk e kishte në Spanjë.

Një lëvizje e studiuar prej kohësh, që po jep rezultate të menjëhershme.

Në vetëm tri paraqitje zyrtare me fanellën e Lyonit, ish-lojtari i Palmeirasit ka realizuar 4 gola dhe ka dhënë 1 asist, duke u shndërruar menjëherë në pikë referimi për repartin ofensiv dhe në një nga lojtarët më të përfolur në kampionatin francez.

Impakti i tij ka qenë i tillë sa ka bindur trajnerin Paulo Fonseca se Endrick është më shumë sesa një zgjidhje e përkohshme.

Sipas ESPN Brasil, ish-trajneri i Milanit dhe Romës u ka kërkuar drejtuesve të klubit të nisin kontaktet me Real Madridin për të zgjatur huazimin edhe për sezonin 2026-27. Një skenar i ndërlikuar, por jo i pamundur.

Vetë Endrick nuk dëshiron të rikthehet në rolin e rezervës në “Santiago Bernabeu”, sidomos në prag të Botërorit 2026, ku synon të jetë protagonist me Brazilin.

Objektivi afatgjatë i sulmuesit mbetet të afirmohet te Real Madridi, klub me të cilin ka kontratë deri në vitin 2030.

Megjithatë, nëse hapësirat do të mbeten të kufizuara, rrethi i tij nuk përjashton as një tjetër huazim, apo madje një formulë me opsion blerjeje. Ndërkohë, në Lyon flasin faktet: Endrick po bën diferencën që në të tashmen.



Read it all at Bota Sot