Suedia po vijon me planet e saj për të ulur moshën e përgjegjësisë penale nga 15 në 13 vjeç në raste të rënda. Kjo këmbëngulje e Suedisë vjen pasi vendi po përballet me një numër në rritje të fëmijëve të rekrutuar në banda për të kryer krime të dhunshme të cilët nuk përballen me pasoja të rënda ligjore.
Ministri suedez i Drejtësisë, Gunnar Strommer tha se vendi është në një situatë emergjente dhe se ndalimi i përdorimit të fëmijëve nga rrjetet kriminale është detyrë thelbësore e qeverisë.
Por disa autoritete, përfshirë policinë, zyrtarët e burgjeve dhe prokurorët, e kanë kundërshtuar planin, me disa të shqetësuar se kjo mund të çojë në faktin që edhe fëmijët më të vegjël të bëhen shkelës të ligjit. Nëse miratohet, legjislacioni do të hyjë në fuqi që në verën e këtij viti.
Strommer këmbënguli se propozimi nuk përbënte një ulje të përgjithshme të moshës së përgjegjësisë penale dhe se do të zbatohej vetëm për krimet më të rënda siç janë vrasja, tentativa për vrasje, shpërthime, veprat penale me armë dhe përdhunimi.
Të dhënat nga Këshilli Kombëtar Suedez për Parandalimin e Krimit tregojnë se numri i veprave penale të regjistruara të lidhura me të dyshuar nën moshën 15 vjeç është dyfishuar gjatë dekadës së fundit.