Si funksionon faza “knockout play-off” e Ligës së Kampionëve?

- Bota Sot

Si funksionon faza “knockout play-off” e Ligës së Kampionëve?

Me zhvillimin e ndeshjeve të fundit të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve, sot mbyllet edhe etapa vendimtare që përcakton renditjen përfundimtare të skuadrave dhe fatin e tyre në garë. Pikërisht nga këto rezultate do të varet se cilat ekipe do të sigurojnë kualifikimin direkt në të tetat e finales dhe cilat do të detyrohen të kalojnë përmes fazës shtesë eliminatore, të njohur si “knockout play-off”.

Por si funksionon faza “knockout play-off”?

Faza “knockout play-off” e Ligës së Kampionëve përcaktohet përmes një shorti të ndërtuar mbi renditjen përfundimtare të skuadrave në fazën e ligës. Klubet që e mbyllin këtë fazë nga pozita e nëntë deri në të 24-ën nuk kualifikohen drejtpërdrejt në të tetat e finales, por hyjnë në një raund shtesë eliminues që shërben si filtër për fazën tjetër.

Sipas rregullave të UEFA-s, skuadrat ndahen fillimisht në çifte të “seeduara” apo të favorizuara për shkak të renditjes së tyre më të mirë dhe “të pa-seeduara”, bazuar në pozicionet e tyre në renditje. Pozitat 9 dhe 10, 11 dhe 12, 13 dhe 14, si dhe 15 dhe 16 formojnë katër çiftet e seeduara, ndërsa pozitat 17–18, 19–20, 21–22 dhe 23–24 përbëjnë çiftet e pa-seeduara.

Në momentin e shortit, çiftet e seeduara vendosen në skemën e fazës eliminatore dhe përballen me çiftet përkatëse të pa-seeduara. Pra, kjo nënkupton që ekipet nga pozitat 9 ose 10 përballen me ato nga 23 ose 24, 11 ose 12 me 21 ose 22, 13 ose 14 me 19 ose 20, ndërsa 15 ose 16 me 17 ose 18. Ky mekanizëm synon të shpërblejë renditjen më të mirë në fazën e ligës, duke ruajtur një ekuilibër konkurrues në rrugën drejt fazave finale të Ligës së Kampionëve.



Read it all at Bota Sot