Rruga e Antonio Conte-s në Champions League vazhdon të jetë e mbushur me zhgënjime.
Sezoni 2025/26 shënon fushatën e shtatë evropiane të trajnerit si drejtues në kompeticionin më prestigjioz të Europës dhe përfundon sërish me një eliminim të parakohshëm. Napoli, kampion në fuqi i Italisë, nuk arriti as të siguronte një vend në “playoff”, duke mbetur jashtë që në fazën e kampionatit, ndryshe nga tri skuadrat e tjera italiane.
Ky eliminim merr edhe më shumë peshë për shkak të një rekordi negativ që Conte e përsërit. Në 25 vitet e fundit, vetëm një herë tjetër kishte ndodhur që skuadra kampione e Italisë të eliminohej në fazën e parë të Champions League: Juventusi i sezonit 2013/14, po ashtu i drejtuar nga trajneri salentin. Një statistikë që rëndon mbi figurën e Conte-s dhe thekson raportin e tij të vështirë me Europën.
Fushata e Napolit në Champions 2025/26 ishte problematike që në fillim. Ngarkesa e dyfishtë javore dhe një seri dëmtimesh e penalizuan skuadrën, duke mos e lejuar të shprehte potencialin maksimal, veçanërisht në përballjen e fundit kundër Chelsea-t. Rruga u bë edhe më e vështirë pas barazimit të dhimbshëm me Kopenhagenin, një ndeshje ku Napoli ishte në avantazh dhe me një lojtar më shumë, por që përfundoi duke humbur pikë jetike.
Në një bilanc të varfër evropian, përjashtuar paraqitjen dinjitoze kundër Chelsea-t, Napolit i mbeten pak momente pozitive: fitoret ndaj Sporting Lisbonës, që më pas u kualifikua direkt për në 1/8-at, dhe ndaj Qarabag-ut. Në krahun tjetër, barazimet me Kopenhagenin dhe Eintracht Frankfurtin, humbja e rëndë 2-6 ndaj PSV Eindhoven dhe disfata kundër Benfikës e bënë të pamundur edhe objektivin minimal të “playoff”-it, ndërsa hyrja në “Top 8” ishte thuajse e paarritshme që herët.
Statistikat e përgjithshme të Contes në Champions janë po aq domethënëse. Në shtatë pjesëmarrje si trajner, ai ka arritur vetëm një herë deri në çerekfinale, në sezonin 2012/13 me Juventusin, që mbetet edhe rezultati i tij më i mirë. Shumë herë, aventura evropiane ka përfunduar që në fazën e grupeve ose në 1/8-at.
Tani për Napolin mbeten objektivat në kompeticionet vendase. Kampionati, ku synimi minimal është rikthimi në zonën e Champions dhe afrimi me Interin në krye, dhe Kupa e Italisë, ku napolitanët do të përballen me Como-n në çerekfinale. Europa, për Conten dhe Napolin, mbetet edhe këtë sezon një plagë e hapur.