Roma po shfrytëzon ditët e fundit të merkatos dimërore për të përforcuar repartin ofensiv dhe emri që aktualisht kryeson listën e dëshirave është ai i Janik Ferreira Karrasko. Sulmuesi belg konsiderohet profili ideal për të mbuluar krahun e majtë, rol i kërkuar shprehimisht nga trajneri Xhan Piero Gasperini.
Takimet e fundit në qendrën stërvitore të Trigorias kanë konfirmuar prioritetet e klubit, me drejtorin sportiv Frederik Massara që po punon në disa fronte për t’i ofruar trajnerit një zgjidhje të menjëhershme.
Karrasko shihet si një lojtar me përvojë ndërkombëtare, i aftë të japë kontribut të menjëhershëm falë cilësive teknike dhe shpejtësisë.
Vetë lojtari është i interesuar për një rikthim në futbollin evropian dhe ka shprehur gatishmëri për të ulur ndjeshëm pagën, me synimin për të rritur shanset e tij për t’u grumbulluar me kombëtaren belge.
Megjithatë, pengesa kryesore mbetet klubi aktual Al-Shabab, i cili kërkon vetëm një transferim përfundimtar dhe nuk është i hapur ndaj formulës së huazimit. Pikërisht për këtë arsye, Roma po mban të hapura edhe pista alternative.
Në listë figuron Leo Sauer i Fejnord, një profil i ri dhe me perspektivë, si dhe Crysencio Summerville i Uest Ham, i cili ka treguar vazhdimësi në paraqitje këtë sezon. Paralelisht me sulmin, klubi verdhekuq po vlerëson edhe përforcimin e krahut të majtë të mbrojtjes, me disa emra në shqyrtim. Ditët në vijim do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse Roma do të arrijë ta mbyllë operacionin Karrasko apo do të orientohet drejt alternativave të tjera.