Skënderbeu kërkon hakmarrjen

- Bota Sot

Skënderbeu kërkon hakmarrjen

Skënderbeu ndihet gati për duelin e sotëm ndaj Kastriotit, një përballje që mbart brenda saj më shumë sesa thjesht tri pikë.

Për bardhekuqtë, kjo ndeshje ka edhe vlera “hakmarrjeje”, pasi krutanët ishin skuadra e parë që i shkaktoi humbjen ekipit të drejtuar nga Ernest Gjoka në fazën e parë të kampionatit, në atë sfidë dramatike të humbur 3-2 në Fushë-Krujë. Korçarët hyjnë në këtë takim vetëm me një objektiv, fitoren.

Një sukses sot do të kishte mision të dyfishtë për Skënderbeun, pasi jo vetëm do të shlyente humbjen e fazës së parë, por do t’i jepte edhe mundësinë të shkëputej më tej nga skuadrat ndjekëse në renditje, duke forcuar pozitat në garën për objektivat madhorë të sezonit. Sfida Skënderbeu-Kastrioti hap sot në orën 13:30 javën e 20-të të Kategorisë së Parë dhe do të luhet në stadiumin “Skënderbeu”.

Një përballje që e ka zhvendosur gjithë vëmendjen sportive drejt Korçës, aty ku vendasit nuk kanë luksin e hapave fals. Statistikat historike e favorizojnë ndjeshëm Skënderbeun. Në çerekshekullin e fundit, asnjë nga përballjet e luajtura në Korçë mes këtyre dy skuadrave nuk ka përfunduar në barazim. Ose ka fituar Skënderbeu, ose ka triumfuar skuadra mike. Megjithatë, bilanci është “i frikshëm” në favor të bardhekuqve.

Në 10 ndeshjet e fundit të zhvilluara në stadiumin “Skënderbeu”, korçarët kanë regjistruar 8 fitore, shpesh edhe me rezultate të thella, ndërsa Kastrioti ka arritur të triumfojë vetëm në dy raste.

Edhe sot vështirë se pritet një rezultat “X”, pasi Skënderbeu ka shumë arsye për të besuar te suksesi. Përveç formës dhe mbështetjes së tifozëve, trajneri Ernest Gjoka pritet t’u japë minuta edhe përforcimeve të merkatos së janarit. Me interes të veçantë pritet debutimi i sulmuesit Mario Beshiraj, i ardhur nga Teuta, i cili shihet si një armë shtesë për repartin ofensiv.

Në Korçë gjithçka është gati për një duel të fortë, ku Skënderbeu kërkon të konfirmojë superioritetin dhe ambiciet, ndërsa Kastrioti synon të prishë festën e vendasve. Por statistikat, forma dhe motivimi flasin qartë në anën e bardhekuqve.



Read it all at Bota Sot