Krerët e Fenerbahçes raportohet se kanë nisur negociatat me drejtuesit e Atalantës për transferimin e sulmuesit Ademola Lookman.
Sipas “Sky Italia”, klubi nga Stambolli ka bërë një lëvizje serioze për përfaqësuesin e Nigerisë, me negociatat që tashmë kanë nisur zyrtarisht.
Fenerbahçe ka paraqitur një ofertë konkrete prej 35 milionë eurosh, si dhe 5 milionë euro bonuse, ndërsa vendimi përfundimtar mbetet në duart e klubit nga Bergamo.
Lookman ka qenë i pakënaqur te Atalanta që nga vera e kaluar, kur drejtuesit e klubit bllokuan një transferim të tijin drejt Interit. Ky vendim solli tensione mes palëve, duke bërë që sulmuesi të mungonte në stërvitje dhe të publikonte një deklaratë kritike ndaj bordit drejtues.
Megjithëse marrëdhëniet duket se janë normalizuar në muajt e fundit, mbetet e qartë se Lookman dëshiron të largohet nga Atalanta.
Një transferim te Fenerbahçe dhe kalimi në Superligën turke shihet si një opsion real që futbollisti është i gatshëm ta marrë në konsideratë, nëse Atalanta pranon ofertën e paraqitur.
Negociatat pritet të vijojnë në orët dhe ditët në vijim, ndërsa e ardhmja e Lookman mbetet e hapur.