Kreu i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, të premten ka lëshuar një reagim ndaj komunës së Skenderajt dhe asaj të Vushtrrisë, sa i përket kompanisë rajonale të pastrimit “Uniteti”.
Peci ka thënë se nuk do të lejojë që Komuna e Skenderajt me 10% të aksioneve në ndërmarrje të zgjedhë se kush do të jetë Kryeshefi Ekzekutiv që do të kujdeset për Mitrovicën.
Akuzë të njejtë Peci ka pasur edhe për Komunën e Vushtrrisë, duke thënë se po dëshirojnë t’ia caktojnë Kryeshefin e ndërmarrjes për Mitrovicë.
“JO, NUK DO TA LEJOJMË.Do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore dhe administrative që një gjë e tillë të pamundësohet”, ka shkruar Peci.
Postimi i plotë:
Reagim publik!
Të dashur qytetarë,
• Nuk lejojmë që Komuna e Skenderajt, me vetëm 10% të aksioneve në ndërmarrjen rajonale të pastrimit KRM “Uniteti” të na zgjedhë se kush do të jetë Kryeshefi Ekzekutiv që do të përkujdeset për Mitrovicën.
• Nuk mundet dhe është e turpshme përpjekja e Komunës së Vushtrrisë, e cila ka hequr dorë nga kjo ndërmarrje dhe ka krijuar kompaninë e re të saj komunale, të vendosë se kush do të jetë Kryeshefi Ekzekutiv në ndërmarrjen komunale të Mitrovicës. Nuk i kanë besuar shërbimin, por dëshirojnë të na zgjedhin Kryeshefin.
• Gjatë javëve/muajit që lamë pas, kemi adresuar çështjen e pastërtisë në qytet duke subvencionuar ndërmarrjen rajonale KRM “Uniteti”, për një qytet më të pastër.
• Kjo ndërmarrje është në gjendje të mjerueshme financiare dhe menaxheriale dhe këtij mjerimi po i vjen fundi. Ndërsa përpjekja e bordit të vjetër është të mbajë gjallë këtë mjerim përmes imponimit ndaj aksionarit kryesor, që është Komuna e Mitrovicës me 61.4% të vlerës së aksioneve të ndërmarrjes, për zgjedhjen e një kryeshefi të ri.
• JO, NUK DO TA LEJOJMË.Do të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore dhe administrative që një gjë e tillë të pamundësohet.
P.S Në foto po pasqyrojmë disa nga angazhimet tona për një qytet sa më të pastër.