Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur rubrikën “Legjendat Flasin”, ku pjesë e episodit të fundit ishte mesfushori legjendar i kombëtares, Migjen Basha.
Basha ka rikthyer kujtimet e tij me fanellën kuqezi dhe ka folur për rrugëtimin e tij me kombëtaren shqiptare.
Ish-mesfushori ka folur për momentin kur u ftua për herë të parë te Shqipëria dhe kujton procesin e gjatë e të ‘mundimshëm’.
“Më kujtohet shumë mirë momenti, sepse për ata që duhet të ishin pjesë e kombëtares, kanë pasur probleme me pasaportat shqiptare.
Në atë kohë kisha pasaportën e Zvicrës. Aty procedura ime ishte shumë e gjatë dhe humba tre vite larg Kombëtares”, tha ai fillimisht.
“E gjithë procedura u avancua në momentin kur De Biasi u afrua te Torino. U avancua, sepse donin që unë të isha pjesë e Shqipërisë sa më shpejt.
Më kujtohet shumë mirë, sepse pavarësisht se ka qenë kohë shumë e gjatë, unë e kam marrë dritën jeshile pak kohë para ndeshjes me Norvegjinë, në mars 2013.
E gjithë ajo kohë ka qenë pak stresuese sepse në asnjë moment se dija kur do të ishte vërtetë drita jeshile për mua. Nga ai moment kam qenë pjesë e Kombëtares dhe u hapën dyert për të gjithë çunat nga Zvicra që vinin pastaj në Kombëtare”, shtoi Basha.
Basha foli dhe përmendi momentin më të mirë me “kuqezinjtë”.
“Momenti kur ka përfunduar ndeshja në Armeni pasi ajo na dha kualifikimin në Europianin 2016.
Ai ka qenë momenti më i mirë. Tre ditët përpara Armenisë kanë qenë shumë stresuese, sepse humbëm kundër Serbisë në Elbasan. Ishte më e vështirë, sepse ishte e rëndë për ne të humbnim edhe kundër Serbisë.
Momenti kur mbaroi ndeshja në Armeni ishte gëzim i madh për të gjithë, sepse ishte hera e parë. Në atë moment, askush nuk e priste që Shqipëria të ishte e dyta në grup pas Portugalisë, sepse ishim në një grup të vështirë. Ishte gëzim shumë i madh”, bëri me dije ish-lojtari i kombëtares.
Migjen Basha tutje shpreh ‘pendesën’ e tij pas 34 ndeshjeve me kombëtaren.
“Pengu më i madh është fakti që vendosa të largohem nga kombëtarja disa muaj para inagurimit të stadiumit “Air Albania”. Dhe nuk e kam pasur fatin që të luaj një ndeshje në këtë stadium. Sepse realisht, kur e sheh një ndeshje sot në televizor apo në stadium, është një moment shumë i mirë dhe atmosfera është shumë e mirë”, tha ai.
“Pavarësisht se unë i kujtoj me shumë mall edhe momentet që kemi qenë në “Qemal Stafa”
. Edhe atëherë ka qenë atmosfera super. Fakti që nuk kam luajtur një ndeshje në stadiumin e ri e kam disi peng. Por të gjitha momentet që kam pasur me Kombëtaren kanë qenë super”, vazhdoi ai.
Basha ishte njëri ndër lojtarët e ftuar dhe që luajti në EURO 2016 me Shqipërinë. Ai zbuloi ndjenjën që e përjetoi kur mësoi se ishte i ftuar për këtë turne.
“Emocionet ishin të ndryshme. Në Austri ishim diku te 27 lojtarë, nuk më kujtohet mirë.
Dhe në fund të përgatitjeve, 4 lojtarë duhet të largoheshin sepse lista përfundimtare nuk dihej.
Ka qenë stres jo vetëm për mua, por për të gjithë sepse nuk e kishim të sigurt kush do të ishte në listë.
Momenti kur doli emri, që do të isha pjesë e finaleve, ka qenë shumë gëzim.
Në ndeshjet me Zvicrën dhe Francën nuk kam qenë titullar, por në ndeshjen me Rumaninë isha në fushë, ku edhe fituam. Kemi bërë një fitore që pas asaj, nuk e dinim nëse kishim ende shanse për t’u kualifikuar më tej. Ka qenë një eksperiencë shumë e madhe dhe e mirë për ne”, tha Basha.