Juventus është gati të përballet me Gallatasarain në play off-et e Champions League, por shorti ka sjellë kujtime dhe tensione të vjetra.
Për tifozët bardhezi, mendja shkon te ndeshja e famshme në Stamboll në edicionin 2013/ 14, kur borë e rëndë ndërpreu takimin dhe një gol i Sneijderit dërgoi Juventusin në Europa League.
Këtë herë trajneri Luçiano Spaleti do të përballet me dy “fantazma” të tjera të së kaluarës. Viktor Osimhen, me të cilin ka punuar te Napoli, është një sulmues efektiv dhe sfida pritet të jetë e vështirë.
Ndërsa Mauro Ikardi, ish-lojtar i Interit, ka pasur mosmarrëveshje të hapura me Spaletin, duke krijuar tension të dukshëm në lidhjet e tyre.
Këto histori personale dhe kujtimet e ndeshjeve të vështira krijojnë një atmosferë sfiduese për Juventusin.
Për tifozët dhe trajnerin, takimi i ardhshëm nuk është vetëm për kualifikimin, por edhe për të mbyllur llogaritë e së kaluarës dhe për të vendosur dominimin në fushë.
Takimi i parë pritet të jetë një provë e vështirë, ku çdo detaj dhe çdo lojtar mund të bëjë diferencën. Juventus duhet të përqendrohet, duke lënë pas fantazmat historike, për të marrë rezultatin që e çon në fazën tjetër të Champions League.