KF Shkëndija nga Tetova do ta zhvillojë të dielën ndeshjen e fundit kontrolluese në kuadër të fazës përgatitore në Antalia të Turqisë.
"Në duelin e katërt dhe përfundimtar të këtij cikli, kuqezinjtë do të përballen me skuadrën nga Kazakistani, Ordabasy.
Takimi do të luhet më 1 shkurt 2026 në kompleksin sportiv Papillon Sport Center në Belek, me fillim nga ora 16:00 sipas kohës lokale në Turqi, respektivisht ora 14:00 sipas kohës tonë lokale.
Stafi teknik do ta shfrytëzojë këtë përballje për të testuar gjendjen aktuale të ekipit, për të provuar zgjidhje të ndryshme taktike dhe për të vlerësuar nivelin e përgatitjes fizike e teknike të futbollistëve. Ky takim vjen si prova e fundit para rikthimit në garat zyrtare, ku Shkëndija do të vazhdojë me sfidat e kampionatit, Kupës dhe paraqitjet evropiane.
Dueli ndaj Ordabasy pritet të shërbejë si një test i vlefshëm dhe real, duke qenë se përballë do të jetë një kundërshtar serioz, që do ta ndihmojë skuadrën tonë të masë formën dhe ritmin para sfidave vendimtare që e presin në vazhdim të sezonit", njofton KF Shkendija.