Një i ri 22-vjeçar u arrestua nga autoritetet italiane pas sulmit ndaj një polici gjatë përleshjeve në një protestë mbrëmjen e së shtunës (31 janar) në Torino.
Siç shihet në një video që qarkulloi në internet dhe u transmetua nga televizionet italiane, polici u sulmua me çekiç dhe grushte, ndërsa ishte në tokë dhe kishte humbur helmetën e tij.
Polici, 29 vjeç, quhet Alessandro Calista dhe sipas mjekëve pritet të dalë nga spitali ditët e ardhshme. Ai qëndron ende në spitalin Le Molinette të Torinos për të marrë edhe mbështetjen e nevojshme psikologjike.
Sulmi ka shkaktuar reagime të forta nga Kryeministrja dhe Presidenti i Republikës së Italisë. Kryeministrja Giorgia Meloni publikoi një video ku dokumentohet sulmi i dhunshëm ndaj policit, duke e goditur edhe me çekiç.
Meloni e cilësoi ngjarjen si “serioze dhe të papranueshme”, duke shtuar se videoja e policit të rrëzuar tregon qartë se nuk ishte një protestues i zakonshëm, por individë që veprojnë si armikë të shtetit.
Presidenti italian Sergio Mattarella kontaktoi Ministrin e Brendshëm, Matteo Piantedosi, duke i kërkuar që t’i shprehë solidaritetin policit të lënduar dhe të gjithë forcave të tjera të policisë që pësuan dëmtime.
Sipas mediave italiane, gjithsej rreth 30 persona u lënduan gjatë përleshjeve, ndërsa 10 protestues u shoqëruan nga policia.
Kryeministrja Meloni theksoi se sulmet ndodhën gjatë protestës kundër zbrazjes së një qendre sociale, një veprim ligjor ndaj një prone që ishte pushtuar në mënyrë të paligjshme. Ajo theksoi se dhuna, përdorimi i eksplozivëve të improvizuar dhe sulmet e organizuara, përfshirë edhe ndaj mjeteve të policisë, janë të papranueshme.