Drejtori i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka përjashtuar çdo ndjekje të mundshme për sulmuesin e Galatasarayt, Mauro Icardi, ndërsa duket se është hequr dorë edhe nga pista e Randal Kolo Muanit, në një kohë kur Jeremie Boga dhe Emil Holm janë afruar në Torino.
Afati kalimtar mbyllet të hënën në mbrëmje dhe Juventusi vazhdon të jetë aktiv në merkato, veçanërisht sa i përket përforcimeve në repartin ofensiv.
Boga ka përfunduar tashmë transferimin në formë huazimi nga OGC Nice, ndërsa Holm po kryen vizitat mjekësore si pjesë e një shkëmbimi me Joao Marion, i cili do të transferohet te Bologna.
“Po kërkonim një lojtar që t’i jepte herë pas here pushim Yildizit dhe të ishte i dobishëm në ndeshjet e ardhshme,” deklaroi Chiellini për “DAZN Italia”.
“Boga e njeh mirë Serie A-n, mund të bëjë diferencën si nga stoli ashtu edhe si titullar, por po rikthehet nga një dëmtim dhe do t’i duhet pak kohë për të arritur formën më të mirë.
Holm është një mbrojtës i besueshëm krahu. Serie A është e vështirë dhe ndryshe nga futbolli portugez, ndaj Joao Mario pati disa vështirësi në adaptim dhe Bologna përfaqëson një mundësi për të. Holm sjell më shumë fizik dhe alternativa shtesë”, tha ai.
Kohët e fundit kishte raportime se Juventusi po shqyrtonte edhe mundësinë e afrimit të Icardit, në rast se Tottenham nuk do ta lironte para kohe Kolo Muanin nga huazimi i tij nga Paris Saint-Germain.
“Vlahovic do të rikthehet pas disa javësh, por fatkeqësisht jo aq shpejt sa do të donim, ndaj kemi kërkuar një sulmues që t’i përshtatet kërkesave të trajnerit dhe situatës sonë financiare,” shpjegoi Chiellini.
“Mauro Icardi u përmend pas asaj që trajneri tha në konferencën për shtyp, duke e përmendur atë dhe Victor Osimhen si shembuj të sulmuesve të mëdhenj, por nuk kishte asgjë më shumë se kaq.
Mund ta përjashtoj çdo ndjekje për Icardin. Sa për emrat e tjerë që janë përfolur, nuk duhet harruar se Vllahoviq do të rikthehet pas rreth një muaji e gjysmë, ndaj do të shohim si do të zhvillohen gjërat”, shtoi ai.
Edhe sulmuesi i Crystal Palace, Jean-Philippe Mateta, ishte lidhur me Juventusin, por tashmë është pranë transferimit te Milani.
“Mateta është një lojtar që e kemi vlerësuar, por vendosëm të mos vazhdojmë për shkak të kostos dhe rrezikut. Kolo Muani është lojtar i Tottenhamit dhe kjo është e vërteta,” përfundoi Chiellini.
Juventusi ka bërë një ngjitje të fortë në renditje pas fitores 3-0 ndaj Napolit javën e kaluar dhe ka siguruar kualifikimin në “play-offin” e Ligës së Kampionëve pas barazimit 0-0 ndaj Monacos.