Marotta e dënon ashpër gjestin e tifozëve të Interit

- Bota Sot

Marotta e dënon ashpër gjestin e tifozëve të Interit

Presidenti i Interit, Beppe Marotta, e ka dënuar ashpër incidentin që ndodhi gjatë fitores 2:0 të “Nerazzurrëve” ndaj Cremoneses në Serie A, ku portieri kundërshtar Emil Audero u godit nga një mjet piroteknik që shpërtheu pranë tij.

Skuadra e drejtuar nga Cristian Chivu siguroi tri pikët falë golave të shënuar në pjesën e parë nga Lautaro Martinez dhe Piotr Zielinski, por ndeshja u shoqërua edhe me polemika serioze.

Pesë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, një mjet piroteknik u hodh në fushë nga sektori ku ndodheshin tifozët mysafirë të Interit.

Ai kaloi shumë pranë Auderos, i cili në atë moment ishte lojtari i vetëm brenda zonës së penalltisë, dhe shpërtheu me një zhurmë të fortë pranë tij.

Në këmbën e portierit u vu re një prerje dhe shenja djegieje, të shkaktuara nga shkëndijat e shpërthimit.

Fatmirësisht, 29-vjeçari ishte në gjendje të vazhdonte lojën pas disa minutash trajtimi në fushë.

Pas përfundimit të ndeshjes, Marotta foli për Sky Sport Italia, duke e cilësuar ngjarjen si një “gjest budallallëk”.

“Është një situatë që nuk e kam përjetuar kurrë gjatë gjithë viteve të karrierës sime.

Ishte një gjest sensacional në emër të antisportivitetit. E di që autoritetet po kryejnë hetimet,” deklaroi Marotta.

“Mund të jetë një incident i izoluar dhe po presim përfundimet e hetimeve, por mendojmë njësoj si të gjithë tifozët. Kemi detyrimin të krijojmë një kulturë sportive dhe të parandalojmë situata të tilla. Ne e dënojmë fuqishëm këtë incident të jashtëzakonshëm.

Gjithashtu duam ta falënderojmë Auderon për profesionalizmin e tij, sepse falë tij ndeshja arriti të luhej deri në fund,” përfundoi presidenti i Interit.



Read it all at Bota Sot